Gjeorgji, binjaket e shitura në lindje ribashkohen përmes një videoje në TikTok

Amy dhe Ano janë binjake identike, por menjëherë pasi lindën, u morën nga nëna e tyre dhe u shitën në familje të ndara. Vite më vonë, ato e gjetën njëra-tjetrën rastësisht falë një emisioni talentesh dhe një videoje të TikTok. Ndërsa hulumtuan në të kaluarën e tyre, ato kuptuan se ishin mes mijëra foshnjave në Gjeorgji të vjedhura nga spitalet dhe të shitura. Tani ato duan përgjigje.

Amy po endej në një dhomë hoteli në Leipzig të Gjermanisë. “Kam frikë, me të vërtetë jam e frikësuar, nuk kam fjetur gjatë gjithë javës. Ky është shansi im që më në fund të marr disa përgjigje për atë që na ndodhi.”

Motra e saj binjake, Ano, rrinte ulur në kolltuk, duke parë videot e TikTok në telefon. “Kjo është gruaja që mund të na ketë shitur,” tha ajo duke rrotulluar sytë.

Është fundi i një udhëtimi të gjatë. Ato kanë udhëtuar nga Gjeorgjia në Gjermani, me shpresën për të gjetur pjesën e humbur të enigmës. Më në fund po takojnë nënën e tyre biologjike.

“Vajza idenike në emisionin pë talentë, të gjithë telefonuan nënën pse po merrja pjesë me emër tjetër”

KHVITIA FAMILY/ FREMANTLE / SIMCO LTD:BBC

Për dy vitet e fundit ato kanë ndërtuar pikëpamje të asaj që ndodhi. Ndërsa zbulonin të vërtetën, kuptuan se kishte dhjetëra mijëra njerëz të tjerë në Gjeorgji, të cilët gjithashtu ishin marrë nga spitalet si foshnje dhe ishin shitur gjatë dekadave. 

Historia se si Amy dhe Ano zbuluan njëra-tjetrën fillon kur ato ishin 12 vjeç.

Amy Khvitia ishte në shtëpinë e gjyshes pranë Detit të Zi duke parë programin e saj të preferuar televiziv, ‘Georgia’s Got Talent’. Aty ishte një vajzë që kërcente e cila dukej tamam si ajo. Jo vetëm si ajo, në fakt, identike.

“Të gjithë po thërrisnin mamin tim dhe pyesnin: ‘Pse Amy po kërcen me një emër tjetër?“, thotë ajo.

Amy ia përmendi familjes së saj, por ata thjeshtë e lan me aq. “Të gjithë kanë një sozi (person thuajse  identik)” tha nëna e saj.

Shtatë vjet më vonë, në nëntor 2021, Amy postoi një video me flokë blu duke shpuar vetullat në TikTok.

320 km larg në Tbilisi, një tjetër 19-vjeçare, Ano Sartania, iu dërgua video nga një shoqe. Ajo mendoi se ishte “cool që dukej si unë”.

Ano u përpoq të gjurmonte vajzën me vetull të shpuar në internet, por nuk mundi ta gjente, kështu që ndau videon në një grup universiteti në WhatsApp për të parë nëse dikush mund të ndihmonte. Dikush që e njihte Amy-n e pa mesazhin dhe i lidhi në Facebook.

Amy e kuptoi menjëherë se Ano ishte vajza që kishte parë gjithë ato vite më parë në ‘Georgia’s Got Talent’.

“Kam kaq kohë që të kërkoj!” i kishte shkruar ajo. “Edhe unë”, u përgjigj Ano.

Gjatë ditëve në vijim, ato zbuluan se kishin shumë të përbashkëta, por jo të gjitha gjërat kishin kuptim.

Të dyja kanë lindur në maternitetin Kirtskhi – i cili nuk ekziston më – në Gjeorgjinë perëndimore, por, sipas certifikatave të tyre të lindjes, ditëlindjet e tyre ishin disa javë diferencë.

Nuk mund të ishin motra e aq më pak binjake. Por kishte shumë ngjashmëri.

“Ishte si të shihesha në pasqyrë, saktësisht e njëjta fytyrë, saktësisht i njëjti zë”

Atyre u pëlqente e njëjta muzikë,  kërcimi dhe madje kishin të njëjtin model flokësh. 

Ato zbuluan se kishin të njëjtën sëmundje gjenetike, një çrregullim kockor i quajtur displazi.

Dukej sikur po zbulonin një mister së bashku. “Sa herë mësoja diçka të re për Anon, gjërat bëheshin më të çuditshme”, thotë Amy.

Ato u morën vesh të takoheshin dhe një javë më vonë, derisa Amy iu afrua majës së shkallëve lëvizëse në stacionin e metrosë Rustaveli në Tbilisi, ajo dhe Ano panë njëra-tjetrën për herë të parë.

“Ishte si të shihesha në pasqyrë, saktësisht e njëjta fytyrë, saktësisht i njëjti zë. Unë jam ajo dhe ajo jam unë”, thotë Amy. Ajo e dinte se ato ishin binjake.

“Nuk më pëlqejnë përqafimet, por e kam përqafuar”, thotë Ano.

Ato vendosën të përballen me familjet e tyre dhe për herë të parë mësuan të vërtetën, ishin adoptuar, veçmas, me disa javë diferencë në vitin 2002.

Amy ishte e mërzitur dhe ndjeu se e gjithë jeta e saj kishte qenë një gënjeshtër. E veshur me të zeza nga koka te këmbët, ajo duket e ashpër teksa fshin një lot të njollosur me maskara nga faqja. “Është një histori e çmendur”, thotë ajo. “Por është e vertetë.”

Ano ishte “e zemëruar dhe e mërzitur me familjen, por doja që bisedat e vështira të mbaronin që të gjithë të vazhdonim përpara”.

Duke gërmuar më thellë, binjakët zbuluan se detajet në certifikatat e tyre zyrtare të lindjes, përfshirë datën e lindjes, ishin të gabuara.

Në pamundësi për të pasur fëmijë, nëna e Amy thotë se një mik i tha asaj se ishte një fëmijë i padëshiruar në spitalin lokal. Ajo do të duhej të paguante mjekët, por mund ta merrte në shtëpi dhe ta rriste si të sajën.

E njëjta histori iu tha edhe nënës së Anos.

Asnjë nga familjet birësuese nuk e dinte që vajzat ishin binjake dhe pavarësisht se kishin paguar shumë para për të birësuar vajzat, thonë se nuk e kishin ditur se ishte e paligjshme. Gjeorgjia po kalonte një periudhë trazirash dhe përderisa stafi i spitalit ishte i përfshirë, ata mendonin se ishte legjitime.

Asnjëra nga familjet nuk do të tregonte po ashtu se sa para u shkëmbyen.

Binjakët nuk mund të mos pyesnin nëse prindërit e tyre biologjikë i kishin shitur për përfitim.

Amy donte të kërkonte nënën e tyre të lindjes për ta zbuluar, por Ano nuk ishte e sigurt. “Pse doni të takoni personin që mund të na tradhtonte?” ajo pyeti.

Vajzat kishin një motër që jetonte me nënën biologjike në Gjermani

Amy gjeti një grup në Facebook dedikuar ribashkimit të familjeve gjeorgjiane me fëmijë të dyshuar se ishin birësuar ilegalisht në lindje dhe ndau historinë e tyre.

Një grua e re në Gjermani u përgjigj, duke thënë se nëna e saj kishte lindur vajza binjake në Maternitetin Kirtskhi në vitin 2002 dhe se pavarësisht se i thanë se kishin vdekur, ajo tani kishte disa dyshime.

Testet e ADN-së zbuluan se vajza nga grupi në Facebook ishte motra e tyre dhe jetonte me nënën e tyre të lindjes, Aza, në Gjermani.

Amy kishte shumë dëshirë të takonte Azën, por Ano ishte më skeptike. “Kjo është personi që mund të na ketë shitur, ajo nuk do t’na tregojë të vërtetën,” paralajmëroi ajo. Megjithatë,  pranoi të shkonte në Gjermani me Amy-n për ta mbështetur.

Në hotelin në Leipzig, Amy dhe Ano përgatiten të takojnë nënën e tyre të lindjes. Ano thotë se ka ndryshuar mendje dhe dëshiron të tërhiqet. Por është  lëkundje momentale dhe duke marrë frymë thellë, vendos të shkojë përpara.

Nëna e tyre biologjike, Aza, pret me nervozizëm në një dhomë tjetër.

Amy hap derën me hezitim dhe Ano e ndjek, gati duke e shtyrë të motrën në dhomë.

Aza hidhet përpara dhe i përqafon fort, nga një binjake në secilën anë. Minutat kalojnë dhe të mbyllur në përqafim, askush nuk flet.

Lotët rrjedhin në fytyrën e Amy-t, por Ano qëndron stoike dhe e palëkundur. Madje  duket paksa e irrituar.

Të tria ulen të bisedojnë privatisht.

Më vonë, binjaket thonë se nëna e tyre shpjegoi se ishte sëmurë pas lindjes dhe kishte rënë në koma. Kur ishte zgjuar, stafi i spitalit i tha se pak pasi lindën foshnjat, kishin vdekur.

Ajo tha se takimi me Amy-n dhe Anon i ka dhënë një kuptim të ri jetës së saj. Edhe pse nuk janë të afërta, ato janë ende në kontakt.

Kapitulli i errët në historinë e Gjeorgjisë

Grupi në Facebook që kishin përdorur binjakët, Vedzeb, do të thotë “Unë jam duke kërkuar” në gjeorgjisht. Ka postime të panumërta nga nënat që thonë se stafi i spitalit u tha se foshnjat e tyre kishin vdekur, por më vonë zbuluan se vdekjet nuk ishin regjistruar dhe fëmijët e tyre mund të ishin ende gjallë.

Postimet e tjera janë nga fëmijë si Amy dhe Ano, në kërkim të prindërve të tyre të lindjes.

Grupi ka më shumë se 230,000 anëtarë dhe ka hapur një kapitull të errët në historinë e Gjeorgjisë.

Grupi u krijua nga gazetarja Tamuna Museridze në vitin 2021 pasi zbuloi se ishte birësuar. Ajo gjeti certifikatën e lindjes me detaje të pasakta kur po pastronte shtëpinë e nënës së saj të ndjerë.

Ajo e nisi grupin për të kërkuar familjen e saj, por grupi ka ekspozuar një skandal të trafikimit të foshnjave që prek dhjetëra mijëra njerëz dhe që përfshin dekada.

Tamuna zbuloi një treg të zi në adoptim që shtrihej në të gjithë Gjeorgjinë dhe vazhdoi nga fillimi i viteve 1950 deri në 2005.

Ajo beson se drejtohej nga kriminelë të organizuar dhe përfshinte njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë, nga shoferët e taksive te njerëzit e lartë në qeveri. Zyrtarët e korruptuar do të falsifikonin dokumentet e nevojshme për birësimet e paligjshme.

“Shkalla është e paimagjinueshme, deri në 100,000 foshnja u vodhën. Ishte sistematike,” thotë ajo.

Në vitin 2022, qeveria gjeorgjiane nisi një hetim mbi trafikimin historik të fëmijëve. /BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri