
Sulmohet me armë zjarri Policia në Zveçan
Një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar para dy orësh në Zveçan me armë zjarri.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 23 :00 në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit,
“Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policies” – thuhet në njoftimin e Policisë.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore” – thekson njoftimi i Policisë.
Dhjetëra policë të rendit janë vendosur në veri të vendit pas vendimit të institucioneve për të rritur praninë policore në këtë pjesë të Kosovës.
Rritja e pranisë policore vjen pas incidenteve të ditëve të fundit, gjatë të cilave u përdorën granata dore e u shkrepën edhe armë zjarri.