Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Në seancë të mbyllur për publikun, dëshmitarja e parë dëshmoi edhe sot në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së

Në një seancë tërësisht të mbyllur për publikun, dëshmitarja e parë në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfundoi dëshminë për sot.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krimet pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Identiteti i dëshmitares së parë nuk është bërë publik dhe gjykimi të mërkurën vijoi të mbahet i mbyllur për publikun.

Mbrojtja e Hashim Thaçit parashtroi pyetje në këtë seancë, ndërsa e njëjta u deklarua edhe në seancën e së martës.

Kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se dëshmitarja do të dëgjohet edhe nesër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Prokuroria pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje ku mund t’i gjeni në këtë LINK.