Në mungesë kuorumi, dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së kuorumit të anëtarëve të kryesisë.

Kështu ka njoftuar shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e cila tha se në mbledhjen e mbajtur sot ka munguar nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala.

Kusari – Lila tha se mbetet në kompetencë të kryetarit të Kuvendit të caktohet seanca e radhës.

“Mbledhja nuk u mbajt në mungesë të kuorumit, sot mungoi nënkryetari i LDK-së. Mbetet në kompetencë të kryetarit të caktohet seancë e re. Sot kryetari deklaroi se është mirë që në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, partitë të mbajnë një qëndrim të veçantë në Kryesinë e Kuvendit si grup. Përndryshe në propozimin për rend të ditës, për një seancë të re plenare kanë qenë 18 pika, ishin edhe dy marrëveshje ndërkombëtare, 9 projektligje në shqyrtim të dytë” – tha Kusari Lila.

Kryesia e Kuvendit as javën e kaluar nuk ka mbajtur mbledhje për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetarja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila tutje ka folur për masat e përkohshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se nëse janë afatshkurtra, ndikimi i drejtpërdrejt i tyre nuk është i ndjeshëm.

Ajo nuk e ka konsideruar të duhur konferencën e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

“Përpjekja jonë është që t’i kthehemi zbatimit të marrëveshjeve, dialogun e shohim të pa alternativë, por organizimin e një konferencë të natyrës së propozuar nga kryeministri Rama nuk e shohim si zgjidhje aktuale të problemit që e mbizotëron në përgjithësi procesin e dialogut”- është shprehur ajo.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.