
Evidentimi i vijueshmërisë të studentëve dhe profesorëve në ligjërata përmes QR code, Foto: Selim Latifi/KALLXO.com
Evidentimi i vijimit të ligjëratave me QR code në UP, studentët u ankuan për mungesë të internetit
Ka dy javë që studentët dhe profesorët e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës kanë nisur evidentimin e vijimit të ligjëratave dhe ushtrimeve përmes QR code.
Për këtë proces të ri të evidentimit javën e kaluar pati ankesa nga studentët e Mjekësisë, me të cilat u njoftua Rektorati i UP-së përmes një kërkese të Parlamentit Studentor të UP-së.
Sipas kërkesës të datës 25.02.2025, studentët janë ankuar për këto probleme që kanë hasur në procesin e evidentimit përmes QR code, si: mungesa e internetit në disa salla të mësimit, i cili është i nevojshëm për t’u evidentuar; probleme teknike në Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Studentëve, si dhe probleme me telefonët e studentëve.
Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar Fakultetin e Mjekësisë më 04.03.2025 për t’u informuar se si është gjendja e qasjes në internet dhe evidentimit të vijimit të ligjëratave dhe ushtrimeve nga studentët e profesorët përmes QR code.
Në disa hapësira të Fakultetit të Mjekësisë në të cilat KALLXO.com ka provuar ka pasur qasje në internet. Ndërkaq, QR code-t janë parë të vendosura brenda sallave të mësimit.
Sipas prodekanes për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Fakultetin e Mjekësië, Aurora Bakalli, studentët evidentohen brenda 15 minutash kur fillon ligjërata apo ushtrimi dhe duhet ta përmbyllin këtë evidentim deri në 15 minuta kur përfundon ligjërata apo ushtrimi.
Prodekania Bakalli konsideroi se ky sistem i ri i evidentimit “i disiplinon” studentët dhe profesorët.
Kurse, Rektorati i UP-së ka dhënë përgjigje për KALLXO.com në lidhje me ankesat e studentëve të Mjekësisë për procesin e evidentimit me QR code në Fakultet dhe gjithashtu ka njoftuar se janë duke e monitoruar këtë proces përmes Zyrës së Teknologjisë së Informacionit.
Kjo është hera e parë që evidentohet vijimi nga studentët dhe profesorët përmes QR code në UP dhe po implementohet në Fakultetin e Mjekësisë.
Deri më tani në UP ka pasur dy mënyra të evidentimit të vijimit të ligjëratave dhe ushtrimeve nga studentët dhe profesorë: përmes nënshkrimit fizik në lista të studentëve apo ato të profesorëve dhe evidentimi elektronik përmes kartelave identifikuese (ID-kartela) të gjeneruara nga SEMS.
Bakalli e ka vlerësuar evidentimin me QR code si më të lehtë në krahasim me metodat e mëhershme. Megjithatë, Bakalli ka shpjeguar se janë duke e aplikuar edhe njërën nga dy mënyrat e mëhershme të evidentimit në të njëjtën kohë.
Përveç në sallat e mësimit, Bakalli ka treguar se QR code-t janë të vendosura gjithandej, edhe nëpër klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, institutet e QKUK-së ku profesorët dhe studentët evidentohen për orët e tyre të mësimit.
“Meqenëse jemi në fillimet tona dhe ndonjëherë mund të kemi vështirësi gjatë rrugës në këtë proces, aktualisht kemi kërkuar nga stafi që ta bëjmë evidentimin në të dy binarët – pra, edhe me evidentimin elektronik, edhe me këtë fizik. Ndërsa, po shpresoj që shumë shpejt formën klasike të evidentimit do ta largojmë dhe do të bazohemi vetëm në evidentimin me anë të QR code-ve” – ka deklaruar Bakalli më 04.03.2025.
Për ankesën e studentëve të Mjekësisë se nuk ka qasje në internet falas në të gjithë kampusin e QKUK-së, Bakalli tha se prodekania për financa në Fakultetin e Mjekësisë ka bërë kërkesë në Rektorat të UP-së që të pajiset i gjithë kampusi me internet falas.
“Tani për tani ka disa lokacione në të cilat ka qasje në internet, por jo në të gjitha. Kështu që tani për tani duhet të bazohemi në internetin, të cilin e posedojnë vetë studentët apo në disa raste ndoshta duhet edhe profesori t’u japë qasje nëpërmes interneteve tona në mënyrë që të mund të bëjmë evidentimin” – ka thënë Bakalli.
Në sallat e mësimit që ndodhen në katin përdhes të Fakultetit të Mjekësisë, për të cilat janë ankuar po ashtu studentët se nuk ka qasje në internet, Bakalli tha se e kanë menduar një zgjidhje.
“QR code të vendoset në katin sipër dhe studenti do të thotë ta bëjë evidentimin aty dhe pastaj të vazhdojë në sallën ku mbahet mësimi dhe ku mund të mos ketë qasje në internet” – ka treguar Bakalli.
Kur u pyet nga KALLXO.com nëse në të kaluarën ka pasur raste në Fakultetin e Mjekësisë në të cilat studentët apo profesorët ia kanë evidentuar njëri-tjetrit pjesëmarrjen në ligjërata e ushtrime, por në realitet mund të mos kenë qenë të pranishëm, Bakalli tha se janë menaxhment i ri i Fakultetit dhe nuk ka informata për të kaluarën.
“Në mandatin që e kemi marrë ne, nga 1 tetori i vitit të kaluar nuk kemi pasë diçka të tillë, por për ato mëhershme nuk kisha marrë përgjegjësinë dhe kompetencën me diskutu” – tha Bakalli.
“Është një proces që do t’i disiplinojë të gjithë, për ne si menaxhment është një mënyrë shumë ma e lehtë e përcjelljes së vijueshmërisë së mësimit si për studentët ashtu edhe për mësimdhënësit” – ka shtuar Bakalli.
Pas kërkesës së Parlamentit Studentor të UP-së që t’u ofrohet zgjidhje problemeve që janë hasur në evidentimin e vijimit përmes QR code, ata i ka takuar prorektorja për çështje të studentëve në UP, Majlinda Gjelaj.
Rektorati i UP-së thotë se studentët janë informuar rreth secilës çështje të ngritur nga ata dhe bashkërisht janë dakorduar që të vazhdojnë me komunikimin dypalësh për identifikimin e vështirësive eventuale deri në evitimin e tyre në tërësi.
“Sa i përket mbulueshmërisë me internet, Universiteti i Prishtinës është duke punuar për ta siguruar atë nëpërmjet kontratës me operatorin ekonomik përkatës. Për çështjen e ngarkesës së sistemit, aktualisht jemi në fazën përfundimtare të testimit për transferimin e tij në serverë të rinj, një proces që pritet të përfundojë brenda kësaj jave” – thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së më 04.03.2025.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Parlamentit Studentor të UP-së, Plaurat Krasniqi, i cili ka thënë se janë pajtuar që asnjë student të mos penalizohet nga evidentimi me QR code dhe secili profesor ta ketë me vete edhe listën fizike të studentëve për evidentim të tyre.
“Nëse dështon sistemi për çfarëdo arsye të evidentohen edhe fizikisht. Kështu që ky semestër do të jetë projekt-pilot se si po funksionon. Nëse shkon mirë ose jo. Nëse nuk shkon, atëherë do ndërpritet dhe do kërkohet një formë më e re e më e lehtë evidentimi” – ka thënë Krasniqi në një përgjigje me shkrim më 04.03.2025.
Rektorati ka njoftuar se përveç këtij sistemi të evidentimit përmes QR code, në Fakultetin e Mjekësisë është implementuar për herë të parë edhe një sistem i digjitalizuar i orarit mësimor. E sipas tyre, jo të gjitha sallat kanë të vendosur QR code.
“Për këtë arsye, jo të gjitha sallat janë përfshirë ende në orar dhe, rrjedhimisht, jo të gjitha kanë të vendosur QR code. Aktualisht, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të mundësuar që profesorët të gjenerojnë QR code për lëndët e tyre, të cilat studentët do t’i përdorin për evidentim” – janë përgjigjur nga Rektorati.
“Deri më tani, 145 profesorë dhe asistentë kanë raportuar orët e mbajtura përmes këtij sistemi. Ndërsa, numri i studentëve pjesëmarrës në këto ligjërata dhe ushtrime është 1,765 nga gjithsej 2,861 studentë aktivë në nivelin bachelor” – kanë shtuar nga Rektorati.
UP deklaron se sistemi i QR code dhe printimi i QR code nuk ka pasur kosto shtesë për ta, pasi secili shërbim është kryer nga operatorë ekonomikë me të cilët UP ka kontratë për mirëmbajtjen e SEMS dhe për shërbime të ngjashme.
Se kur do të fillojë evidentimi i vijimit edhe në njësitë tjera akademike, UP thotë se janë duke punuar në këtë aspekt.
“Ky sistem është aktualisht në fazën pilot në Fakultetin e Mjekësisë. Ne jemi duke punuar për ta shtrirë atë edhe në njësitë akademike ku nuk është i implementuar sistemi i mëparshëm i evidentimit me ID-kartela përmes pajisjeve të dedikuara, por kjo do të ndodhë pas sigurimit të infrastrukutrës së nevojshme pas fazës së pilotimit dhe raportit që del nga ky pilotim” – ka thënë Rektorati i UP-së.
Më 13.12.2024, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, e kishte vizituar Fakultetin e Mjekësisë kur ishte inauguruar funksionalizimi i evidentimit elektronik të mbajtjes së procesit mësimor përmes skanimit të QR codeve.
“Vendosja e plotë e këtij sistemi shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe lehtësimit të monitorimit të procesit mësimor, duke mundësuar mbajtjen e evidencave në mënyrë të saktë dhe efikase” – thuhej në njoftimin e UP-së më 16.12.2024.