Foto: KALLXO.com

Në Jarinjë situatë e qetë, policët kufitar vazhdojnë të jenë në detyrë

Në pikë kufitare të Jarinjës janë të vendosur diku 30 zyrtarë policorë kufitar serbë të cilët veprojnë në kuadër të Policisë së Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com, ndonëse është paralajmëruar dorëheqja e tyre, ata vazhdojnë të jenë në detyrë në pikën kufitare.

Ndërrimi i policëve kufitar do të bëhet në ora 20:00.

Aktualisht siç mëson KALLXO.com, policet kufitar janë në vendet e tyre të punës në Jarinjë ndërsa ende nuk ka ndonjë informacion nëse ekipi tjetër, ai që do të mbajë ndërrimin nga ora 20:00, do të paraqitet apo jo në punë.

Ndërsa, komandantët e stacioneve mbikëqyrëse të kufirit, ai i Leposaviqit dhe Bërnjakut kanë dhënë dorëheqje sot gjatë kohës sa kanë marrë pjesë në takimin me Listën Serbe.

KALLXO.com po qëndron në pjesën veriore të Kosovës ku po përcjell nga afër zhvillimet e fundit pas takimit mes zyrtarëve serb dhe Listës Serbe.

Në takim sot u mor vendim që zyrtarët e policisë, gjykatave, e institucioneve të Kosovës të dorëhiqen dhe të bojkotojnë institucionet si shenjë pakënaqësie e suspendimit të drejtorit të policisë në veri Nenad Gjuriq.

Ky i fundit u suspendua pasi dyshohet për sabotim e thirrje për rezistencë.

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

KALLXO.com ka mësuar se fillimisht sot komandantët e stacioneve policore në katër komunat në veri të Kosovës, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) do të dorëzojnë uniformat e tyre nëpër stacionet ku punojnë.

Pas komandantëve tutje siç mëson KALLXO.com të gjithë zyrtarët policorë të njësive të ndryshme të cilët funksionojnë në veri të vendit, do të dorëzojnë uniformat e tyre në shenjë pakënaqësie pas suspendimit të drejtorit rajonal Nenad Gjuriq.

Në lidhje me armët dhe kartelat policore për të njëjtat nuk u tha se do të dorëzohen, kështu të paktën u pa edhe në takimin e sotëm në të cilin u njoftua dorëheqja, por u hoqën vetëm këmishat e kaltra të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com tentoi të marrë përgjigje edhe për këtë çështje por askush nuk dha ndonjë përgjigje.

Aktualisht situata në veri të Kosovës është e qetë. Zyrtarët e institucioneve të Kosovës që janë në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje ndërsa pozitat e tyre nuk dihet se si do të plotësohen.