Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Në 24 orët e fundit, Policia shqiptoi mbi 2 mijë tiketa dhe ua konfiskoi lejen 59 shoferëve

Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë shqiptuar 2 mijë e 336 gjoba për kundërvajtje në trafik si dhe ua kanë konfiskuar patentë shoferin 59 vozitësve.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila është duke e zbatuar planin operativ “Siguria në trafikun rrugor 2023”, i cili synon parandalimin e aksidenteve në komunikacion.

Sipas njoftimit, në nivel vendi Policia ka pasur edhe 615 pika të kontrollit të automjeteve, e janë kryer edhe 72 inspektime nga menaxhmenti policor.

“Duke marr parasysh intensitetin dhe qarkullimin e vazhdueshëm të njerëzve dhe mallrave jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendet tjera të rajonit dhe kudo në botë aksidentet rrugore dhe humbja e jetëve të njerëzve në aksidente rrugore është një sfidë dhe shqetësim permanent” – ka theksuar Policia.

Për të arritur objektivat e përbashkëta për një siguri të qëndrueshme rrugore dhe qarkullim pa pengesa, Policia ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht nga drejtuesit e automjeteve, që të shmangin veprimet të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e tyre gjatë vozitjes.

Ata kanë kërkuar nga vozitësit që vozitjen e automjetit ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë, t’i shmangen përdorimit të telefonave mobilë gjatë drejtimit të automjetit, të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë si dhe të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve gjatë qarkullimit.

Lidhur me sigurinë në trafik, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë mbajtur një konferencë për media.

Konferenca erdhi pas aksidentit tragjik që ndodhi të shtunën në Prizren, ku gjatë garave ilegale që u mbajtën në autostradë tre persona mbetën të vdekur.

Hoxha e Sveçla dhanë detaje për këtë aksident, e po ashtu edhe treguan se çfarë masa janë marrë e cili është plani i Policisë dhe institucioneve shtetërore për të parandaluar aksidentet që shpeshherë janë me fatalitet.

Të dhënat e MPB-së: 104 të vdekur në Kosovë nga aksidentet e trafikut këtë vit

Aksidenti tragjik në autostradë, iniciohet hetim disiplinor për dy komandantë të policisë