Ilustrim

Aksidenti tragjik në autostradë, iniciohet hetim disiplinor për dy komandantë të policisë

Për një komandant të Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, e për një komandant tjetër në Njësia për Kontroll të Autostradave është iniciuar hetim disiplinor pas aksidentit që ndodhi në Prizren gjatë garave të jashtëligjshme ku të vdekur mbetën tre persona, në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Kështu kanë njoftuar sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha gjatë një konference për media ku folën për gjendjen e sigurisë në trafik.

“Ndër masat e ndërmarra deri më tani është inicimi i hetimeve disiplinore për përgjegjësi menaxheriale, lëvizja e dy komandantëve të Njësive të Trafikut, plani i ri për siguri në trafikun rrugor” – tha i pari i MPB-së.

Në anën tjetër drejtori i Policisë, prezantoi edhe masa të tjera që u ndërmorën në këtë rast, duke thënë se kanë edhe një plan të ri operativ për sigurinë në trafikut rrugor.

Ai tutje shtoi se është bërë edhe kërkesë për shtimin e radarëve statik e edhe të kamerave, e njoftoi se do të kërkohet ashpërsimi i masave për kundërvajtje në ligjin e trafikut rrugor dhe p-o0ashtu tha se janë në pritje të bartjes së përgjegjësive me ligjin për pronarin e mjetit, pjesë që është adresuar në projektligj.

Ministri Sveçla gjatë fjalimit të tij tha se Policia e Kosovës këtë vit ka shqiptuar 76 gjoba për gara të paligjshme që shkaktojnë rrezik në komunikacion.

Përderisa drejtori i PK-së shtoi se deri më tani në drejtim të garave te paligjshme gjatë gjithë vitit janë shqiptuar 193 gjoba, janë konfiskuar 10 automjete e janë ndaluar 50 gara në tërë Kosovën.

Sveçla po ashtu njoftoi se nga ana e PK-së, grupit të njëjtë që ka qenë në Prizren në garat e jashtëligjshme ia kishte parandaluar garat dy herë, e po ashtu pjesëtarëve të këtij grupi i kanë shqiptuar gjoba të një pas njëshme.

Sipas ministrit, deri më sot kanë vdekur 104 qytetarë në aksidente në komunikacion duke përfshirë dhe këmbësorë.

Edhe drejtori i PK-së tha se objektivi kryesor i tyre është ngritja e sigurisë në trafik, duke treguar se janë pajisur me patrulla inteligjente dhe synojmë të pajisen edhe me radarë statik, e po ashtu pajisje për lëshimin e gjobave në mënyre elektronike e edhe me kamera të trupit.

Hoxha tha se deri më tani janë 8 mijë e 832 aksidente me të lënduar, duke thënë se ka një rritje në total prej 58 për qind të aksidenteve.

“Sipas analizave që janë bërë shkaktarë janë mos-mbajtja e distancës e sigurisë në mes automjeteve, mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës e të tjera” – tha shefi i Policisë së Kosovës.

Çfarë dihet deri më tani për garën e paligjshme në Prizren që kushtoi me jetën e tre personave?

57 tiketa janë të regjistruara përgjatë viteve 2022-2023 për Irfan Hotin, njërin nga të arrestuarit për aksidentin me fatalitet i cili ndodhi të shtunën në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Këto statistika ka arritur që t’i sigurojë KALLXO.com nga Policia, gjegjësisht Drejtoria e trafikut.

Tre persona kanë vdekur si pasojë e goditjes me veturë përgjatë një gare automobilistike që po zhvillohej rreth orës 21:00 të shtunën e 16 dhjetorit në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas dosjes së prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, dy të dyshuarit Irfan Hoti dhe Arlind Syla, janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike në mbrëmjen e 16 dhjetorit.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VË Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë disa statistika të cilat flasin për numrin e lartë të gjobave që u janë shqiptuar dy tashmë të arrestuarve që dyshohen për aksidentin me fatalitet.

Për Irfan Hotin, KALLXO.com mëson se ai përgjatë dy viteve të fundit ka të regjistruara 53 tiketa trafiku, 15 prej tyre janë shqiptuar nga njësiti i trafikut rajonal Gjakovë.

Ndërsa i dyshuari tjetër Arlind Syla në total ka 9 tiketa trafiku.

Gjithashtu siç ka mësuar KALLXO.com, Irfan Hotit gjatë vitit të kaluar i ishte konfiskuar patentë shoferi për 3 muaj, ndërsa i ishte dorëzuar të njëjtit prapë.

Siç kanë thënë burimet brenda Policisë në Gjakovë për KALLXO.com, gara të tilla automobilistike janë të shumta e disa prej tyre edhe janë ndaluar pasi Policia kishte marrë informacione për to.

Me ngjarjen tragjike që ndodhi dy natë më parë, të dyshuarit Irfan Hoti e Arlind Syla, dyshohen se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut.

Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.

Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.

Për ngjarjen e rëndë në autostradë ka pasur edhe reagime publike.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se kjo ngjarje ka goditur rëndë tri familjet.

“Jam jashtëzakonisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të tre djemve të ri nga Gjakova. Kjo ngjarje tragjike ka goditur rëndë 3 familje, por dhimbje për këtë humbje ka sot secili prej nesh. Në emër të qytetarëve të Gjakovës ngushëlloj familjet Syla, Delija dhe Bibaj për humbjen e bijve të tyre” – ka thënë Gjini.

Ndërkohë edhe ish kryetarja e Gjakovës, deputetja Mimoza Kusari – Lila, ka reaguar, duke thënë se vdekjet e shkaktuara nga papërgjegjësia dhe veprimi i jashtëligjshëm në trafik, thërrasin sipas saj, për veprime të menjëhershme dhe masa të ashpra.

Dy të arrestuarit për aksidentin në të cilin vdiqën tre persona me dhjetëra gjoba në trafik