Foto: KALLXO.com

Ndodhi e pazakontë në gjyqin e të akuzuarve për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, praktikanti i zyrës e zëvendëson avokatin

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u përcoll me një ndodhi të pazakontë.

Në vend të avokatit Dejan Vasiq, që mbron të akuzuarin Dragisha Markoviq, në fillim të seancës si zëvendësues u paraqit personi me emrin Goran Mitroviq.

Mitroviq në fund të seancës doli të jetë vetëm praktikant në zyrën e Vasiqit e jo avokat i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Sipas gjyqtarit të rastit, Valon Kurtaj, njëri nga anëtarët e trupit gjykues pas shikimit të autorizimit zëvendësues, ka vërejtur se është autorizuar për zëvendësim praktikanti i zyrës së Dejan Vasiqit.

“Ne në parim u besojmë avokatëve, në parim dhe frymën e bashkëpunimit. Dje e kemi njoftu Dejan Vasiqin që duhet me pru një zëvendësim sot. Sot neve na u ka dorëzu një autorizim prej Dejan Vasiqit, ku për shkak të gjuhës ne e shikuam autorizimin në koordinim me gjyqtarin Musa Konxheli, i cili ka përvojë më shumë në gjuhën serbe. Në autorizim thotë që “e autorizoj praktikantin e zyrës”. Me çfarë vepre penale kemi të bëjmë, me çfarë dënimi dhe kush mund ta zëvendësojë avokatin që këtu mund të prezantojë vetëm një avokat. avokat i licencuar, kështu që Gjykata në këtë moment e ndërpret shqyrtimin gjyqësor” – tha gjyqtari Kurtaj.

Tutje gjyqtari Valon Kurtaj, që udhëheq këtë gjykim, kërkoi nga personi me emrin Goran Mitroviq që të ngrihej në këmbë dhe kërkoi sqarime nga ai nëse ishte avokat pranë zyrës së avokatit Dejan Vasiq apo vetëm praktikant.

“Jo, unë jam praktikant”- u përgjigj Goran Mitroviq.

Mitroviq tha se Dejan Vasiq e kishte njoftuar se gjykimi kishte të bënte me veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, por që kjo u demantua nga gjyqtari i rastit, duke i treguar Mitroviqit se të akuzuarit e këtij rasti janë të ngarkuar për vepra penale të dënueshme deri me burgim të përjetshëm.

Në këto rrethana gjyqtari i çështjes ndërpreu seancën gjyqësore në të cilën ishte duke dhënë mbrojtjen i akuzuari Rade Basara.

Pasi rasti ndodhet në fazën e dhënies së mbrojtjes, Basara kishte zgjedhur mundësinë që të përgjigjet në të gjitha pyetjet e parashtruara nga palët, qoftë të prokurorisë, trupit gjykues dhe avokatëve të të akuzuarve të tjerë.

Se cilat hapa do t’i ndërmarrë Gjykata lidhur me këtë që ndodhi në seancën e 12.06.2024 mbetet të shihet në seancën e cila u caktua të mbahet nesër.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.