Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, dy të akuzuar japin mbrojtjen

Në Gjykatën e Prishtinës, në gjykimin e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, më 11.06.2024, kanë dhënë mbrojtjen dy të akuzuarit Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Silvana Arsoviq ka arritur ta përfundojë mbrojtjen e saj ndërsa Rade Basara ka mbetur që mbrojtjen ta vazhdojë në seancën e radhës, e cila do të mbahet me datë 12.06.2024.

Oliver Ivanoviq ishte vrarë para selisë së partisë së tij më 16.01.2018 në Mitrovicë të Veriut.

Ai u qëllua me armë zjarri nga dikush që gjendej në një veturë “Opel Astra”, e cila ishte në lëvizje, pa targa e me xhama të errësuar. Vetura u gjet e djegur menjëherë pas atentatit.

Kujtojmë se në seancën e kaluar i akuzuari Nedelko Spasojeviq ka dhënë mbrojtjen e tij, kurse Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë deklaruar se do të mbrohen në heshtje.

Lidhur me këtë KALLXO.com kishte raportuar më 15.05.2024.

Seanca e sotme filloi me mbrojtjen e Silvana Arsoviqit, e cila u mor në pyetje nga mbrojtësja e saj, avokatja Jovana Filipoviq.

Ajo deklaroi se Oliver Ivanoviqin e njihte që shumë kohë nga qyteti i tyre, se ai kishte qenë i njohur si një sportist në qytetin e Mitrovicës kurse më vonë kishte qenë edhe politikan i njohur, kishte ardhur shumë shpesh edhe në Pejë drejtori gjeneral ndërsa ajo në atë kohë kishte punuar si sekretare e tij.

“Që nga viti 2006 kam punuar si sekretareshë te ai, ashtu me vite ka qenë një marrëdhënie më e afërt dhe kam punuar deri në ditën e vrasjes së tij” – deklaroi e akuzuara Silvana Arsoviq.

“Detyrat e mia në atë zyrë kanë qenë të caktoj mbledhje, të thërras personin apo personat për të cilët ai kishte nevojë, të dërgoj ndonjë email. Në fillim kur kam nisur të punoj ai shpesh ka shkuar në Prishtinë, në atë kohë ka qenë përcjellja ashtu quhej në atë kohë, kam kryer edhe shërbime si zierja e kafes dhe shërbime të tjera dhe kam pastruar ashtu si mirëmbajtëse e zyrës” – deklaroi tutje e akuzuara Silvana Arsoviq.

Po ashtu ajo gjatë mbrojtjes së saj bëri të ditur se kishte ndodhur që personi i cili jua kishte instaluar ato kamera ai aksidentalisht kishte ndërruar jetë.

“Oliveri i ka shikuar kamerat dhe i ka kryer këto veprime për funksionimin e tyre dhe besoj që nëse nuk funksionojnë ai e ka ftuar edhe personin që i ka instaluar ato dhe nuk besoj që ai do të kishte lejuar që prej datës 4 Janar ato të mos funksionojnë” – shtoi tutja Silvana Arsoviq gjatë mbrojtjes së saj.

E akuzuara Silvana Arsoviq u përballë me një pyetje nga avokati Faruk Korenica dhe përgjigjja e saj ishte kjo:  “Asnjëherë në jetën time, as më herët, as më vonë, nuk kam bashkëpunuar me asnjë grup të organizuar kriminal” – u përgjigj e akuzuara Silvana Arsoviq.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit special Burim Çerkini, e akuzuara Silvana Arsoviq rrëfeu se ajo kishte pasur qasje në të gjitha zyrat dhe për të hyrë në zyrën e Oliver Ivanoviqit fillimisht duhej që të hynte në zyrën e saj pastaj në zyrën e Oliverit dhe atë ditë kishte lënë çantën në zyrën e saj dhe pastaj kishte shkuar te zyra e Oliverit.

Atë ditë në momentin që e kishte parë Oliver Ivanoviqin shtrirë të zverdhur, ajo nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në raport me Oliver Ivanoviqin, vetëm kishte vrapuar për ta thirrur ndihmën e parë.

Tutje seanca vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Rade Basara.

I pandehuri Rade Basara në seancën e sotme 11.06.2024 tregoi momente nga dita kur kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

“Në kohën e vrasjes së Oliverit, unë kam qenë në Kroaci, çdo vit unë kam shkuar për festa te nëna ime dhe kur janë krishtlindjet unë kam shkuar me 06.01.2018 dhe jam kthyer më 21.01.2018” – tha i akuzuari Rade Basara.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special nga trupi gjykues me kryetar Valon Kurtaj, anëtarët Valbona Musliu- Selimaj dhe Musa Konxheli.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.