Nagavci e quan "ndërhyrje brutale të Serbisë" rekrutimin e nxënësve të komunitetit joshumicë në shkollën serbe në Obiliq
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në emisionin “Kallxo Përnime” është pyetur për hulumtimin e realizuar nga KALLXO.com, i cili dëshmon një rast në Obiliq se si shkollat serbe rekrutojnë nxënës të komuniteteve joshumicë përmes dhuratave materiale.
Nagavci ka thënë se ky veprim i mban të varur jo vetëm nxënësit e komuniteteve joshumicë në Kosovë por edhe nxënësit e komunitetit serb.
“Kjo është vetëm një nga shkeljet që Republika e Serbisë i bën në vazhdimësi duke shkelur kështu edhe marrëveshjen bazë për fqinjësi të mirë dhe në këtë mënyrë duke ndikuar që jo vetëm fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian por besoj edhe ata të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë i mban të varur, jo të lirë, në mënyrë që t’i instrumentalizojë ata”-ka thënë Nagavci.
“Konsideroj që kjo po adresohet dhe gjatë diskutimeve që po ndodhin si një ndërhyrje brutale për të instrumentalizuar qytetarë që janë sidomos në gjendje më të vështirë socio-ekonomike”- ka shtuar ministrja.
Në lidhje me këtë çështje, Nagavci ka përmendur disa prej ndihmave që ministria që ajo drejton i ka bërë për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
“Për dy vitet e fundit radhazi ne kemi ndarë nga 200 mijë euro për qendrat mësimore që në 21 qendra, në vende të ndryshme, ofrojnë mësim shtesë apo ndihmë për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” – tha ministrja.
Ajo shtoi se do të vazhdojnë me përkrahje për organizatat e shoqërisë civile që angazhohen në këto qendra që të krijojnë mundësi për fëmijët e komuniteteve.
“Përveç kësaj kemi ndarë bursa për shkollë të mesme për fëmijët e komuniteteve që vijojnë mësimin në shkollat e mesme dhe vitin e kaluar për herë të ;parë kemi hapur thirrjen për të ofruar bursa për studime për 100 pjesëtarë të komuniteteve në studime në universitete publike”- tha Nagavci.
Një material i filmuar më 21 shtator nga KALLXO.com dëshmon se si këta nxënës po binden të kalojnë në sistemin paralel në gjuhën serbe.
KALLXO.com ka biseduar me tri nëna, të cilat i dërgojnë fëmijët në shkollën serbe.
Ato tregojnë se po i çojnë fëmijët në shkollën serbe sepse kushtet janë më të mira për fëmijët e tyre.
.