“Na dëbuan se kurrkush nuk del me qejf prej shtëpisë” – rrëfimi i Ali Misimit si refugjat
Në mars të vitit 1999, Ali Misimi kishte dalë në oborrin e shtëpisë në Prishtinë dhe i ngazëllyer kishte bërtitur me gëzim për fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.
“Ka qenë si ajo ndjesia, kur një i dobët dhunohet dhe vjen një më i fort e të shpëton prej dhunuesit. Ajo ka qenë ndjesia.” – rrëfen Misimi në emisionin ‘Kallxo Përnime’.
Por, pas një jave nga ajo ditë, Misimi dhe familjarë të tjerë ishin dëbuar nga shtëpia në lagjen e Medresesë në kryeqytet, ku edhe jetonin prej vitit 1964. Ata u dëbuan më 30 mars 1999 nga forcat policore serbe.
Ai kishte parë një lumë njerëzish që i shoqëronte Njësia Policore Serbe “Beretat e Kuqe”.
“Na dëbuan se prej shtëpisë nuk del kërkush me qef… Jam hi brenda [në shtëpi], ju kam kallxu që janë kah vijnë.” – është shprehur Misimi.
Teksa thotë se më herët në shtëpi kishin përgatitur disa çanta që, në rast dëbimi, t’i merrnin me vete, atë ditë ishin nisur me mendimin se do të ktheheshin, pasi më parë kishin dëbuar edhe të tjerë dhe i kishin shëtitur nëpër qytet.
“I kemi lanë çantat, e kemi marr një çantë tekstilit, kena fut një bukë, një transistor edhe një paketim me katër bateri… Transistorin m’u informu edhe një bukë, se menojshim se kthehemi më vonë në shtëpi.” – ka shtuar ai.
Ata i ishin bashkangjitur lumit të njerëzve që po dëboheshin, kurse prindërit e tyre qëndruan në shtëpi me shpresën se do të ktheheshin.
“Jena ndi shumë të përdhunosun, kështu në dinjitet, në gjithçka, se me ardhë e me të qit prej shtëpisë ka qenë shumë e rëndë.” – thotë ai.
Misimi në atë kohë e kishte pasur pasion politikën dhe interesohej për lajmet që raportoheshin për luftën në Kosovë. Ai ka studiuar vitin e parë në Fakultetin Filozofik, pastaj ka vazhduar në drejtimin e Sociologjisë.
Ata i kishin treguar motrës së tyre, Bahriesë, e cila asokohe kishte qenë shtatëzënë dhe ajo në atë gjendje u ishte bashkuar me burrin dhe të birin. Për nipin, Misimi thotë se në atë kohë ishte me virus dhe i dehidratuar.
Ai ka kujtuar momentin kur dhëndrri, Skenderi, kishte dashur ta marrë veturën për ta përdorur për gruan e djalin, por e kishin zënë policia serbe.
“E kanë thirrë babën e Skenderit, i cili është dashur t’i japë disa mijëra marka për ta liruar Skenderin, edhe natyrisht çelësat [e veturës] ia kanë marrë. Vetura janë vjedhë sikur shumë të mira materiale tonat.” – tregon Misimi.
Derisa kishin ecur në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, ai mban mend se kishte pasur gra serbe që i kishin sharë e gjuajtur me ujë.
“Ka pas edhe dy-tri raste që kanë qajtë, d.m.th jo të gjithë iu kanë gëzu dëbimit tonë.” – ka thënë ai.
Gjatë rrugës, nuk ishin në dijeni se ku po i dërgonin, derisa e kanë kuptuar se po shkonin drejt Stacionit të Trenit në kryeqytet.
Misimi thotë se te Stacioni i Trenit kishte qarkullim të autobusëve që mbusheshin me njerëz, që sipas tij, i dërgonin në kufi me Shqipërinë.
“Ka qenë gjendje kaotike, gra shtatëzëna, pleq të palëvizshëm që i bartnin me karroca, njerëz të frikësuar. Më duket që ka pas edhe lindje atë natë aty.” – ka kujtuar natën qe e kishin kaluar në Stacion të Trenit.
Misimi kishte dëgjuar lajmet në transistor gjatë asaj kohe, por ishte zhgënjyer pasi thotë se njerëzit nuk informoheshin se çka po ndodhte me ta në Prishtinë.
Pasi kishin refuzuar të hipnin në autobusë me mendimin se do të ktheheshin në shtëpi, në mëngjes kur ka arritur një tren, Misimi thotë “kemi hyrë përmes dritareve në një kabinë ku zakonisht janë 6 pasagjerë. Ne kemi qenë 27.”
Gjatë udhëtimit me tren, Misimi thotë se ka vërejtur një polic serb që i mbikëqyrte, por qante.
Ata kanë arritur në Bllacë dhe kanë parë një numër të të dëbuarve që ndodheshin atje.
“Kurrë s’e harroj çfarë pune të madhe kanë bërë shqiptarët e Maqedonisë” – thotë ai teksa kujton një organizatë që quhej Al-Hilal, e cila sipas tij, sillte me traktorë ushqim e ujë për ta.
“Lufta për mbijetesë i bani njerëzit shumë të egër, edhe ata na bishin ushqim, po në të njëjtën kohë u shajshin e u fyjshin pse s’po më jep mua.” – kujton Misimi.
Ai ka treguar për hjekat e tyre në Bllacë se si nuk kishte fjetur katër netë.
“Natën e katërt, t’u u ngrohë para zjermit, më ka fjet truri, kam dasht me ra me fytyrë në zjerm, po fati më kanë tërhejk.” – ka kujtuar këtë moment Misimi.
Pas një jave, ata shkuan në kampin e refugjatëve ‘Stankoveci 2’ në Maqedoni të Veriut, i cili sipas Misimit kishte pasur kapacitet për rreth 50,000 refugjatë. Aty qëndruan për pesë javë.
Për shkak të ushqimit të thatë e mungesës së ujit, ai thotë se njerëzit kishin problem me tretjen.
“Katër javë nuk jemi pastru, derisa i bënën disa tush-kabina të improvizume. E ngrohnim ujin me zjarr…” – tha Misimi.
Ai kishte punuar vullnetar me organizatat e huaja që realizonin aktivitete për socializimin e fëmijëve. Misimi ka disa fotografi të cilat e kthejnë në kohën e qëndrimit në kampin e territorit maqedonas.
Një ekip nga Australia i kishin lutur të shkonin në vendin e tyre, por ai thotë se “vetë ideja me shku në Australi, që ishim të ndarë prej prindërve, edhe në fund të dyjesë, nuk ishte as opsion.”
Por, vëllai i tij, Ekremi kishte punuar për tri javë si përkthyes për ekipin norvegjez, kështu ata arritën t’i bindnin ata dhe shkuan në Norvegji.
“Pas pesë jave, Ekremi vëllai e ka lut shefen e ekipit norvegjez a munden me na shti në listë me shku në Norvegji. Ajo, natyrisht që ka pranu edhe kemi shku, nëse nuk gaboj ka qenë 12 maji.” – ka thënë Misimi.
Misimi kujton po ashtu se i kishin pritur mirë në Norvegji, ishin kujdesur për ta dhe i kishin strehuar në një vend me kushte të mira.
Ai kishte punuar si asistent dhe përkthyes në një çerdhe që e kishin themeluar norvegjezët për fëmijët shqiptarë.
Kurse, vëllai i tij ishte intervistuar për punë në Universitetin norvegjez në Trondheim, ku punoi për dy vite si asistent, ndërsa ka doktoruar në robotikë.
Por, Ali Misimi u kthye në Kosovë pas disa muajve, pasi nuk kishte dashur ta vazhdonte drejtimin e jetës që vlerëson se ia kishin ndryshuar.
E arsyeja kryesore e kthimit tij në Kosovë thotë se ishin prindërit, të cilët kishin mbetur në shtëpi në Prishtinë.
“Më kallxon nana, janë ulë në shkallë të shtëpisë prej mërzisë, prej hutisë. Meqenëse, ka qenë e thurur me tel, pjesa ndarjes me kojshin mbrapa, policët kur kanë ardhë në oborrin e tyre i kanë parë edhe prindërit e mi… I kanë pa të vjetër, edhe këta janë fut brenda, kanë jetu aty.” – tha Misimi.
“Edhe baba na bëjke presion – kthenu, se liria, gjithçka po lulëzon… Motra e vogël, Bahria u kthy me 8 ose 9 gusht (1999) edhe u kanë ndër të parat që u kthy, se sa shkuam ne u shlirua Kosova edhe ia nisëm m’i ba presion shtetit norvegjez me na kthy.” – tregon Misimi.
Pas një viti, në korrik 2000, ai u kthye në Kosovë.
“Prej aeroportit e deri në Prishtinë më kujtohen shpijat e djegura në Vragoli, Miradi të Epërme… edhe nuk iu kam kallxu prindërve, vetëm Bahrija e ka dit që kam m’u kthy.” – rrëfen Misimi.
Nën emocione, ai e ka të kthjellët momentin kur ishte kthyer në shtëpinë nga e cila e kishin dëbuar para një viti forcat policore serbe.
“Baba ish kanë t’u i ça do dru. Ka pas marak m’i siguru drutë shumë herët. Nana, edhe ajo kishte qenë jashtë, diçka t’u la. Nuk mundeshin me besu, ka qenë moment shumë emocional.” – kujton ai.
Misimi vazhdon të jetojë me nënën e tij, gruan e dy vajzat, pasi babai i ka ndërruar jetë më 2018.