Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muzafer Shala: Ideja për dërgimin e librave në Luginë, për konsum zgjedhor

Ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nga PDK, Muzafer Shala, në debatin ‘Kallxo Pernime’ ka thënë se ideja e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, për dërgimin e librave në Luginën e Preshevës është për konsum zgjedhor.

“Është kjo për konsum zgjedhor. Ose është dashtë me prit deri sa të kryhet kjo pjesa këtu, sepse është dashtë me u kry më herët, pasi që LDK nuk është hera e parë që është në Qeveri, mirëpo problemi nuk është i madh që duhet me u zgjidh sepse mund të dixhitalizohen ato”, tha Shala.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti më 11 janar pas një takimi me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës,  ka treguar se planifikohet edhe furnizimi me libra për nxënësit në Luginë.

“Deri në fund të gushtit do të finalizojmë një listë të investimeve kapitale. Jam i bindur që në shtator do të finalizohet furnizimi i librave për nxënësit”, kishte deklaruar Hoti.