Shumë kritika e disa pyetje ka PDK për ministren Arbërie Nagavci

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala e ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka dështuar t’i bëjë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor me kohë, krahas situatës së rënduar nga përballja me pandeminë COVID-19 dhe rritjes së numrit të rasteve të infektuara me virusin pandemik.

Shala ka thënë se për PDK-në është jashtëzakonisht të papranueshme, zhgënjyese dhe dështim fund e krye i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, që të nuk ka arritur t’i bëjë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator.

“Njëri nga sektorët që do të goditet më së shumti, duket të jetë sërish arsimi, dhe fëmijët tanë që do të mbesin në shtëpi pa një perspektivë të qartë shkollore.

Ai tha se vaksinimi duhet të jetë i obligueshëm për të gjithë personelin arsimor, prej stafit të angazhuar me parashkollor e deri tek ai universitar.

Disa nga shqetësimet që u ngritën në këtë konferencë për media janë pyetjet në vijim që iu janë drejtuar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci:

  • Sa është numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të prekur nga COVID-19?
  • Si janë kushtet higjienike për fillimin e vitit shkollor 2021/2022 dhe a duhet dezinfektuar shkollat?
  • Çka do të behet rreth zëvendësimit të mësimdhënësve që nuk munden ta fillojnë vitin shkollor për shkak të infeksionit?
  • Sa është përqindja e vaksinimit te personeli arsimor dhe mbështetës në nivel të Kosovës?
  • Sa fëmijë nuk i kanë kushtet tekniko-teknologjike për ta ndjekur mësimin online nëse kalohet i tëri në mësim online për shkak të përkeqësimit të situatës pandemike?
  • Sa mësimdhënësve u duhen orë shtesë të përgatitjes për përdorimin e teknologjive të reja për mësim të kombinuar?

Shala ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, duke thënë se në vend të përgatitjeve intensive, ata e kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash dhe rrezikojnë të dështojnë edhe një vit të ri shkollor.

Ai i ka bërë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse, që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit në këtë krizë pandemie.