PDK kritikon Qeverinë Kurti për mësimin gjatë pandemisë

Anëtari i Kryesisë së PDK-së dhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për organizimin e mësimit nga distanca për nxënësit e Kosovës.

Sipas tij, Qeveria në detyrë është vonuar për zhvillimin e mësimit nga distanca.

“Duam të denoncojmë Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e cila po pretendon se është duke organizuar  mësimin online përmes televizionit. Kjo është gënjeshtër, sepse në fakt ky që po organzohet nga qeveria e shkarkuar duhet quajtur mësim i njëanshëm, në distancë sepse mësimi përmes internetit është interaktiv”, tha Shala.

“Mësimi interaktiv apo ndërveprues online i mundëson të gjithë nxënësve që të diskutojnë të bëjnë pyetje, të zhvillojnë ushtrime apo të marrin komente, sugjerime, detyra e vlerësime nga mësimdhënësi”, ka shtuar më tej ai.

Ish-ministri i Inovacionit është i mendimit se mësimi online do të duhej të zhvillohej në platforma online dhe jo përmes televizionit.

“Raporte e studime të shumta dëshmojnë se shtrirja e internetit në Kosovë përfshin  89% të popullsisë duke përfshirë këtu në mënyrë masive edhe zonat rurale.

Pra Kosova i ka pasur të gjitha parakushtet që në këtë kohë pandemie të organizojë mësimi online, nëse qeveria në ikje e Kurtit do të ishte largpamëse e do të kishtë bërë përgatitjet e duhura”, ka thënë më tej Shala.

Ai ka shtuar se MAShTI është vonuar edhe për mënyrën e vlerësimit të nxënësve.

“Vendet e tjera fqinje kanë përgatitur udhëzues  për mësimin online shumë më herët ndërsa Kosova e ka përgatitur udhëzuesin “për vlersimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” vetëm në fund të javës së kaluar”, ka deklaruar Shala.

“Pra 7 javë pas fillimit të pandemisë në Kosovë. Kosova mjaftonte të ndiqte shembullin e Shqipërisë e cila e ka nxjerrë udhëzuesin e plotë për realizimin e programit lëndor dhe vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në kushtetet e shtëpisë më shumë se një muaj para Kosovës, në datën 21 mars”, ka shtuar ai.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së shtoi se qeveria në detyrë po i ikën testimit të nxënësve.

“Në vendimin e vonuar të qeverisë sonë, të datës 24 Prill mes të tjerave është vendosur që nota përfundimtare e vitit shkollor 2019-20 nuk do të jetë më e ulët se ajo e datës 11 mars 2020. Bëhet fjalë për datën kur është ndërprerë mësimi i rregullt nëpër shkolla për shkak të pandemisë. Me këtë vendim, qeveria në ikje po i ikën testimit të nxënësve, për të mbuluar dështimin e vetë në organizimin e mësimit në kushte shtëpie gjatë pandemisë”, theksoi Shala.

Ai shtoi se në mesin e orëve mësimore që transmetohen nëpër televizione janë përfshirë reklama me figurën politike të ministrit të shkarkuar të shëndetësisë, Arben Vitia dhe sipas tij, janë ngarkesë e panevojshme psikosociale për fëmijët.

“Është e pakuptueshme përse duhet që udhëzime specifike me zërin dhe figurën e Arben Vitisë që janë targetuar për të rritur, të transmetohen bashkë me programe që janë të dedikuara për audiencën e nxënësve të mitur. Kjo është një ngarkesë e panevojshme psikosociale për fëmijët tanë si dhe një abuzim i skajshëm i propagandës politike të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar më tej Shala.

Mësim online në Kosovë është duke mbajtur të gjitha nivelet e arsimit, ku për nivelin 1-9 MAShTI ka përgatitur video-ligjërata që janë duke u transmetuar në RTK. KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Kurse, shkollat e mesme dhe fakultetet janë duke mbajtur mësim online sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Deri tek mbyllja e instituticioneve të arsimit erdhi për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.