Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, lirohet nga akuza i pandehuri për shtytje në vetëvrasje të së fejuarës

Gjykata e Mitrovicës e ka liruar sot nga akuza të pandehurin L.Sh., i akuzuar për shtytje në vetëvrasje të B.Y.

Gjykatësi Xhemajl Jusufi tha se i pandehuri është liruar nga akuza me arsyetimin se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë.

“I pandehuri L.Sh. lirohet nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore nga data 30.12.2021 deri me datë 08.09.2022 në një fshat të Mitrovicës, me sjelljet dhe veprimet e tij ka nxitur persona të tjerë për të kryer vetëvrasje, gjegjësisht të fejuarën e tij, tani të ndjerën B.Y.” – tha gjykatësi.

Gjykatësi theksoi se i pandehuri akuzohet se ka ushtruar presion psikik ndaj tashmë të ndjerës dhe se ajo ka kryer vetëvrasje pas kontaktit të drejtpërdrejtë më të pandehurin përmes një videoje.

“Ashtu që gjatë lidhjes së tyre, pastaj edhe gjatë fejesës me të ndjerën, të njëjtën vazhdimisht e kishte rrahë dhe keqtrajtuar, e kishte kanosur, ndaluar që të punojë, të shoqërohet dhe të vizitojë farefisin, gjëra të cilat e ndjera ka mundur t’i bëjë vetëm me pëlqimin dhe miratimin e tij, ndërsa kanosjet dhe ndalimet kishin vazhduar edhe pas largimit të të pandehurit për në Gjermani. I pandehuri kishte punuar për disa muaj, e këto veprime dhe sjellje të të pandehurit kanë shkaktuar tension të lartë psikik tek e ndjera B.Y., saqë e njëjta me datë 8.9.2022, pasi që kontakton të pandehurin direkt me video përmes telefonit kryen vetëvrasje” – tha gjykatësi duke lexuar atë për çka akuzohej i pandehuri.

Tutje ai shtoi se Gjykata nuk ka arritur të provojë me provat e administruara që kjo vepër penale, gjegjësisht veprimet e të pandehurit janë konsumuar me elementet e kësaj vepre penale për të cilën i njëjti akuzohet.

Avokati i familjes së viktimës, Shyqyri Syla, ka konsideruar se ky aktgjykim është i gabuar dhe se do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit.

“Konsideroj se ishte një aktgjykim i gabuar. Sepse për mendimin e mbrojtësit të familjes së dëmtuar, kishte mjaft prova që i akuzuari të shpallet fajtor. Sepse provë më të fortë se sa vetëvarja e viktimës në një lidhje të drejtpërdrejtë me të fejuarin me kamerë hapur për mua nuk ekziston se mesazhi ishte e qartë. Ja shiko e more atë që deshe! Për mua tjetër interpretim nuk mund t’i jepet. Neve nuk na ka mbetur gjë tjetër vetëm ta apelojmë këtë vendim në Gjykatën e Apelit” – ka thënë avokati.

Ndërsa, sipas nënës së viktimës, ka pasur mjaft prova që e kanë dëshmuar të kundërtën e këtij aktgjykimi.

“Po nuk e di, ku ka me shku provë më e madhe se çika jem B.Y. ja ka çu me video drejtpërdrejt tu u vetëvra” – tha ajo.

Tutje aktivistja e shoqërisë civile, Neri Ferizi, tha se kjo do të ndikojë në rritjen e numrit të vetëvrasjeve.

“Unë mendoj që edhe një herë shteti dështoi me i përkrahë viktimat. Edhe kjo besoj që ka me ndiku te shumë gra të tjera, e shumë njerëz që tentojnë me bo vetëvrasje tu pasë shkaktarë të ndryshëm. E nëse na nuk i dënojmë këta shkaktarë, na kemi me vazhdu me pasë vetëvrasje të tjera” – theksoi Ferizi.

Tutje ajo shtoi se shpreson që Gjykata e Apelit ta kthejë edhe një herë në rivendosje pas ankesave që u paralajmëruan nga avokati sepse, sipas aktivistes, ka mjaftueshëm fakte të cilat tregojnë për rastin në fjalë.