Ilustrim: Naser Fejza

47 vite e gjysmë dënim me burgim për katër të akuzuarit për vrasjen me pagesë në vlerë prej 100 mijë fraga në Deçan

Murat Sinanaj, Gjon Pnishi, Avni Sinanaj dhe Bekim Raja, të akuzuar për vrasjen e Ferdinand Gjinit, janë gjetur fajtor nga Gjykata e Mitrovcës.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas përgjigjes së zëdhënëses së Gjykatës së Mitrovicës, Lumnije Surdulli, aktgykimi ndaj të pandehurve është shpallur më 21 dhjetor 2023.

Për vrasje të rëndë Murat Sinanaj është dënuar me 18 vite e gjysmë dënim me burgim. Me vetëm katër vite më pak është dënuar i akuzuari për shtytje në vrasje, Bekim Raja me plotë 14 vite e gjysmë dënim me burgim.

Pnishi për ndihmë në vrasje të rëndë është dënuar me 6 vite dënim me burgim kurse Avni Sinanajn është dënuar me 8 vite e gjysmë.

Prokuroria e Pejës pretendon se kjo vrasje është kryer me pagesë.

Katër të akuzuarit ishin dënuar me gjithsej 49 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë, e pastaj ky vendim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.

Por rasti ishte kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës Supreme.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohet se e porositi vrasjen e Gjinit me pagesë, në nëntor të vitit 2019 ishte dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi, i cili kishte bashkëpunuar me Prokurorinë ishte dënuar nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së përmirësuar, Bekim Raja për shkak të një përleshjeje fizike që kishte pasur me të ndjerin Ferdinand Gjini dhe me Mark Kqirajn, me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka shtytur të pandehurin Gjon Pnishi që ky i fundit së bashku me Avni dhe Murat Sinanajn të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Dosja e Prokurorisë thotë se për këtë porosi, Bekim Raja u kishte premtuar atyre shpërblim në vlerë prej 150 mijë franga, ndërsa nëse ka vonesa në kryerjen e vrasjes shpërblimi do të jetë 100 mijë franga zvicerane

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Murat Sinanaj, sipas porosisë së dërguar nga Bekim Raja e ka kryer vrasjen e Ferdinand Gjinit, i ndihmuar nga Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj në planifikimin e vrasjes.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit e kanë mashtruar viktimën duke e joshur me substanca në atë mënyrë që një natë para vrasjes i ndjeri takohet me të pandehurit Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi, ku merren vesh që të nesërmen Ferdinand Gjini së bashku me Gjon Pnishin të shkojnë në fshatin Izniq te i pandehuri Avni Sinanaj për të marrë një sasi të substancave narkotike.

Tutje sipas prokurorisë, të nesërmen viktima është nisur nga Gjakova për në drejtim të Deçanit me veturën e tij, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, ku me të arritur të ura që i lidh fshatrat Llukë dhe Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj i ka dalë në pritë dhe me armë automatike e ka privuar nga jeta Ferdinand Gjinin.

Dosja e Prokurorisë thotë se për këtë porosi, Bekim Raja u kishte premtuar atyre shpërblim në vlerë prej 150 mijë franga, ndërsa nëse ka vonesa në kryerjen e vrasjes shpërblimi do të ishte 100 mijë franga zvicerane.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Murat Sinanaj, sipas porosisë së dërguar nga Bekim Raja e ka kryer vrasjen e Ferdinand Gjinit, i ndihmuar nga Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj në planifikimin e vrasjes.

Aktakuza thotë se pas kryerjes se vrasjes, i pandehuri Bekim Raja ua ka dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangave 3 të pandehurve të cekur me lartë.