Prokuroria: Zyrtarit të dyshuar të ATK-së iu gjetën barna me banderola të Serbisë

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), i dyshuar për kontrabandim me barna dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, atij i janë gjetur në veturën zyrtare të ATK-së, dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës.

Ndalimi i tij nga Policia ka ndodhur në fshatin Bistricë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Me datë 01 shkurt 2024 në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë përkatësisht në fshatin Bistricë, i pandehuri L.P., është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës. Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës.” – përshkruhet në njoftimin në fjalë.

Për arrestimin e dy zyrtarëve të saj, kishte njoftuar vetë ATK-ja, përmes një njoftimi në Facebook ditën e djeshme.

Për zyrtarin tjetër të arrestuar, KALLXO.com mëson se ka qenë vetëm pasagjer dhe për të njëjtin nuk është kërkuar paraburgim.

Tutje ajo çka mëson KALLXO.com është se zyrtari për të cilin është kërkuar paraburgim, e ka pranuar se barnat e gjetura kanë qenë tijat, dhe zyrtari tjetër nuk kan qenë në dijeni për të njëjtat.

Të dy zyrtarët në fjalë janë pezulluar nga pozitat e tyre zyrtare, sipas njoftimit të ATK-së.

Për caktimin e masës së sigurisë pritet të mbahet seancë dëgjimore në Gjykatën e Mitrovicës.