MINT ankohet ndaj vendimit të Gjykatës për Klan Kosovën

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes avokaturës shteterore ka deponuar ankesë në shkallën e dytë të Gjykatës Komerciale kundër vendimit paraprak për rastin e televizionit Klan Kosova.

Bazat e ankesës së ushtruar nga MINT kundër vendimit të gjykatës janë shkelja esenciale e dispozitave të procedurës administrative, vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike si dhe zbatim i gabuar i të drejtës materiale.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi – Hoti.

Rasti i pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova është pranuar në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë më 1 gusht 2023.

Këtë për KALLXO.com, e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Komerciale.

Klan Kosova ka ushtruar padi ndaj Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë për anulimin e vendimeve kontestuese dhe ka bërë kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtyre vendimeve pranë Gjykatës Komerciale.

Gjykata Komerciale e Kosovës, me gjyqtarin Anis Durmani me 3 gusht kishte aprovuar kërkesën e televizionit Klan Kosova për masën e sigurisë.

Kësisoj, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas vendimit të gjykatës, shtyrja e ekzekutimit të vendimit të MINT ndaj Klan Kosova kishte plotësuar kushtet ligjore.

Gjykata ka vlerësuar se vendimi i MINT do ta linte Klan Kosovën pa regjistrim juridik biznesor dhe rrjedhimisht ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë ekonomike që më pastaj do të rezultonte edhe në marrjen e licencës nga Komisioni i Pavarur për Media.

Tutje, gjykata thekson se me anë të këtyre veprimeve do të ndërpritej edhe marrëdhënia e punës së 220 punëtorëve dhe marrëdhëniet kontraktuale me palë e treta, që do të sillnin dëme vështirë të riparueshme.

Sipas vendimit të gjykatës, Klan Kosova ka bërë përmirësimet e duhura teknike në regjistrimin e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë dhe kjo nuk bie ndesh me interesin publik.

Gjykata ka vlerësuar faktin se Klan Kosova ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik.

Andaj gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave.

MINT pretendon se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh kishte nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.