Ministrja Haxhiu për dënimin ndaj Krivaçës: Gjykim i drejtë për krimin mizor

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar në rrjetin social facebook ndaj shqiptimit të dënimit maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

E njëjta ka theksuar se ky rast ka qenë një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit dhe se ndërgjegja kolektive mund të jetë më e qetë kur vihet drejtësia në emër të popullit.

“Uroj që drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave të jetë në nivelin më të lartë profesional, duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën” – ka shtuar tutje ministrja Haxhiu.

Dardan Krivaça i cili akuzohet se ka vrarë Marigona Osmanin është dënuar sot me burgim të përjetshëm pasi që është gjetur fajtor nga gjykata e Ferizajt.

Dardan Krivaça akuzohet për vrasjen mizore dhe dhunimin e Marigona Osmanit kurse  gjykata e shpalli fajtor për të dy veprat.

Arbër Sejidu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 15 vjet burgim.

Ndërsa nga akuzat për dhunim dhe ndihmë në dhunim Krivaça dhe Sejdiu janë liruar.

Rrethanë rënduese për Krivaçën gjeti shkallën e lartë të përgjegjësisë, rrezikshmërinë shoqërore, veprën e ka kry me paramendim nga motivi i xhelozisë

Trupi gjykues ka bërë rikualifikimin e veprës për Arbër Sejdiun nga vrasja e rëndë në ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta të ndjerën Marigona Osmani.

Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Ndërkaq, Krivaça akuzohet për dhunimin e të ndjerës, kurse Sejdiu për ndihmën në kryerjen e dhunimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu godasin të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 2 gusht.

Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë.

Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.

Bëhej fjalë për Marigona Osmanin. Të dyshuar për këtë vrasjes janë Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast  – LINK