Ministria e Arsimit kërkon 4 persona për hartimin e një dokumenti të AKA-së

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkurs për punësimin e katër personave.

Sipas njoftimit në platformën elektronike të prokurimit (e-prokurimi), kjo Ministri po planifikon t’i punësojë ata për hartimin e dokumentit “Plani Strategjik i Agjencisë së Kosovës për Akreditim”.

Ministria ka planifikuar 8 mijë euro për këto kontrata dhe kohëzgjatja është për tre muaj.

Si kriter për pranimin në këtë pozitë, MASh ka shënuar se obligative është 3 vite përvojë pune specifike në arsimin e lartë, njohuri të ligjeve dhe rregulloreve të aplikueshme lidhur me arsimin, shkathtësia analitike dhe hulumtuese, aftësi për përmbushje të detyrave dhe punëve nën presion dhe njohja e gjuhës angleze ka përparësi.

Kandidatët po ashtu duhet të kenë diplomë të nivelit Master apo PhD si dhe referencë nga punëdhënësi.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 21 dhjetor në ora 13:00 dhe kandidatët duhet t’i dorëzojnë dokumentet në Ministri.

Që nga 30 qershori kur ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, institucionet publike dhe komunat e Kosovës do të bëjnë rekrutimin e stafit për shërbime të veçanta duke u bazuar në këtë Ligj.

Institucionet dhe komunat e Kosovës deri në muajin qershor punësimin e punonjësve me marrëveshje të veçanta që ndryshe njihen si kontrata mbi vepër e kanë bërë në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil.

Por, që nga fillimi i muajit korrik rekrutimi i punëtorëve për shërbime të veçanta do të bëhet duke u bazuar në nenin 84 për Marrëveshjet për shërbime të veçanta të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Pas hyrjes në fuqi të Ligji të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta përmes të cilës edhe do të bëhet punësimi.

Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta, të  cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat autoriteti kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.

Ndryshe nga Ligji për Shërbimin Civil, i cili ka lejuar që punësimi me marrëveshje për shërbime të veçanta apo kontrata mbi vepër të bëhej jo më gjatë se 6 muaj, me Ligjin për Zyrtarë Publikë, kohëzgjatja e kontratave do të jetë deri në 36 muaj.

Procedura për rekrutim të stafit për shërbime të veçanta fillon me publikimin e njoftimit për kontratë në platformën elektronike, të përgatitur në përputhje me nenin 40-të të Ligjit të Prokurimit Publik dhe me ngarkimin e dosjes së tenderit të miratuar nga KRPP.