Flamujt e Iranit dhe të Izraelit, Ilustrim: Pixabay

Ministri izraelit i mbrojtjes: Konfrontimi me Iranin ende nuk ka përfunduar

Konfrontimi midis Iranit dhe Izraelit “nuk ka përfunduar ende”, tha të dielën Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, pas sulmit të Teheranit ndaj Izraelit një natë më parë.

“Shteti i Izraelit u sulmua me qindra raketa dhe mjete ajrore pa pilot dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e penguan këtë sulm në një mënyrë mbresëlënëse” – tha Gallant, duke u kërkuar izraelitëve të qëndrojnë “vigjilentë dhe të vëmendshëm ndaj udhëzimeve të publikuara nga Komanda e IDF dhe Homefront”.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se Izraeli “duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar”.

“Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë shtesë, ne arritëm të mbronim territorin e shtetit të Izraelit” – vazhdoi Gallant.

“U shkaktuan shumë pak dëme – ky është rezultat i operacioneve mbresëlënëse të IDF.”

Gallant është një nga tre burrat që përbëjnë kabinetin e luftës të Izraelit, së bashku me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe Benny Gantz. Kabineti i luftës është autorizuar të vendosë për përgjigjen e Izraelit ndaj sulmit iranian, tha një zyrtar izraelit për CNN.

Të shtunën në mbrëmje, Netanyahu iu drejtua qytetarëve të Izraelit, duke deklaruar se Izraeli është përgatitur për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani dhe është i gatshëm për “çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.

“Ne kemi përcaktuar një parim të qartë,” vazhdoi Netanyahu. “Kushdo që na dëmton, ne do t’i dëmtojmë ata. Ne do të mbrohemi kundër çdo kërcënimi dhe do ta bëjmë këtë me nivele të larta dhe me vendosmëri.”

Të shtunën mbrëma me 13.04.2024 Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit, si kundërpërgjigje, sipas tyre, për sulmin izraelit ndaj një konsullate iraniane me 1 prill në Damask të Sirisë.

Izraeli ka thënë se ka bllokuar 99% të raketave të lëshuara nga Irani, ndërsa nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Damask.