Rifat Latifi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri i Shëndetësisë: Brenda dy viteve do ta hapim Spitalin e Traumës

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se brenda dy viteve në Kosovë do të hapet Spitali i Traumës.

Sipas tij, aktualisht në Qendrën Emergjente trajtohen brenda vitit 7 mijë trauma.

“E kemi një Qendër të Emergjencës me më pak se 600 metra katrorë ku trajtohen 7 mijë trauma në vit. Ne do ta hapim Spitalin e Traumës brenda 2 viteve. Ketë spital në ndërtesën që është ndërtuar dhe aktualisht është lakuriq”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket shumës e cila do të shpenzohet për ndërtimin e këtij Spitali, Latifi tha se janë në proces të vlerësimit.

“Unë nuk di sa kushton, ne jemi në proces të vlerësimit të të gjitha këtyre proceseve”, tha shkurt ai.

Latifi shtoi se ka mungesë edhe të qendrave për trajtime tjera.

“Nuk kemi qendër të djegieve, duhet ta kemi sa më parë. Nuk kemi qendër të shëndetit të gjirit. Nuk kemi qendra onkologjike”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ndërsa i pyetur se sa kushton ndërtimi i Emergjencës, Latifi në emisionin “Kallxo Përnime” tha se duhen 19 milionë euro për të përfunduar strukturalisht.

“19 milionë ka me kushtu vetëm për t’u përfunduar strukturalisht. Unë e kam angazhuar një grup që me vlerësu edhe sa kanë me na kushtu mjetet teknike, instrumentet etj.”, tha tutje ai.

Ministri Latifi ka folur edhe për specializimin e mjekëve në këtë fushë. Ai tha se do të dërgohen në vende të ndryshme specializantët për traumë dhe kujdes intenziv.

“Në këtë vit 2022 do t’i dërgojmë në vende të ndryshme specializantët për traumë dhe kujdes intenziv. Me e shtu numrin e mjekëve që merren me kujdesin intensiv. Unë po flas me Turqinë, Austrinë, Zvicrën, Gjermaninë e vendet e tjera”, tha ai.

Ndërsa tha se duhet të punohet për të kthyer dinjitetin e mjekëve që të punojnë në vendin e tyre.

“Rishikimi i buxhetit behet në qershor, me këtë do të merremi në atë kohë. Nuk duhet ndonjë buxhet astronomik duhet më e rregullua, me kthye dinjitetin dhe ata me punu aty ku duhet”, shtoi ai.