Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa u rrit pasuria e Arben Vitisë gjatë kohës sa u largua nga politika?

Prej prillit të 2021-tës kur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte deklaruar pasurinë, atij tani i janë shtuar mbi 12 mijë euro në xhirollogari. Ai ka mbi 18 mijë euro në bankë.

Vitia ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, më 25 janar, për periudhën prej kur ka marrë pozitën, më 26 dhjetor 2022.

Ndryshe nga ai, bashkëshortja e tij ka rreth 940 euro në llogari, rreth 1,500 më pak.

Që nga hera e kaluar, deklarimit të tij i është shtuar edhe një banesë në vlerë 98 mijë euro, e cila është në pronësi të gruas së tij.

Për këtë banesë thuhet se është blerë në mars të 2022-tës nga kursimet, kredia dhe huamarrje.

Si pasuri të paluajtshme, sikurse në vitin 2021, ai ka deklaruar edhe një shtëpi në vlerë 150 mijë euro, 15 ari truall në vlerë 250 mijë. Të dyja të trashëguara nga viti 2003. Trualli është në pronësi të përbashkët.

Vitia dhe bashkëshortja e tij posedojnë edhe dy vetura, të tipit “Mazda” dhe “Suzuki”, të cilat arrijnë vlerën 25 mijë euro. Ato janë blerë nga kursimet, kreditë dhe huamarrje, në vitet 2013 dhe 2018.

Gruaja e tij i ka 86 mijë euro borxh në bankë, të cilat detyrohet t’i paguajë për 12 vjet, dhe thuajse 10 mijë euro hua.

Të hyra mujore, ministri ka deklaruar mbi 1 mijë e 300 euro dhe gruaja e tij 2 mijë e 500 euro, apo 1 mijë më shumë sesa në vitin 2021.

Pasuria e Vitisë nuk është publikuar edhe në AKK. Agjencia e kontaktuar nga KALLXO.com ka dërguar deklarimin e tij dhe ka treguar arsyen e mospublikimit.

“Ju njoftojmë se një numër rreth 500 zyrtarë kanë dorëzuar formularët e tyre para hyrjes në fuqi të ligjit te ri apo në forme fizike, para funksionalizimit të sistemit elektronik te deklarimit, dhe të cilët janë në proces të finalizimit të tyre dhe do publikohen sa me shpejt që të jetë mundur teknikisht” – ka thënë AKK.

Arben Vitia dha dorëheqje nga posti i ministrit në tetor të 2021-tës, për të garuar për kryetar të kryeqytetit në zgjedhje lokale. Pasi që humbi këto zgjedhje, ai u largua nga skena politike, për t’u rikthyer sërish si ministër i Shëndetësisë në dhjetor të 2022-tës.