Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook

Ministri Vitia premton shtesa për mjekët që punojnë vetëm në sistemin publik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sot Ferizajn ku ka takuar edhe kryetarin e kësaj komune, Agim Aliun, me të cilin kanë vizituar spitalin e Ferizajit dhe qendrat ku ofrohen shërbimet shëndetësore.

Gjatë kësaj vizite, Vitia premtoi që shumë shpejt do të miratohet një rregullore e cila do të ofrojë shtesa në pagat e mjekëve që zgjedhin të punojnë vetëm në sistemin publik. Për këtë zotim, ai tha se nuk mund të japë kohë të caktuar.

Ndër temat kryesore të diskutuara ishte ndërtimi i Spitalit të ri të Ferizajt, për të cilin ishte nënshkruar kontrata mbi 10 milionëshe në fillim të 2018-tës, e projekti ishte filluar që nga viti 2013.

Aty u fol edhe për projektin për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe zgjerimin e kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore në Ferizaj.

“Spitali i Ferizajt dhe projekti për ndërtimin e QKMF-së, ishin dy temat kryesore, veçanërisht pasi që janë identifikuar probleme serioze në zbatimin e kontratës gjatë ndërtimit të spitalit të Ferizajt, si dhe nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë ndërinstitucional në rastin e ndjekjes së procedurave për ndërtimin e QKMF-së me qëllim të shmangies së pengesave në të ardhmen” – njofton Ministria.

Vitia tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat që problemet teknike të eliminohen dhe se janë duke u ndjekur edhe hapat ligjorë ndaj përgjegjësve, duke iu referuar problemeve të cilat kanë pamundësuar përfundimin e tij.

Ky takim sipas ministrit ka për qëllim zgjidhjen e nyjeve për vazhdimin e dy projekteve jetike për qytetarët e Ferizajt.

Kreu i shëndetësisë, ferizajasëve u premtoi angazhim për ofrim të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore në të ardhmen.

Pas këtij takimi, Agim Aliu ka shkruar në “Facebook” se shumë shpejt do të nis puna për Spitalin e Ri të Përgjithshëm dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.

“U dakorduam që të kapërcejmë çdo pengesë në rrugën për t’i dhënë fund sagës së stërzgjatur të ndërtimit të Spitalit të Ri të Përgjithshëm në Ferizaj si dhe nisjes së punimeve për objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj” – ka shkruar Aliu.

Në këtë vizitë Vitia u shoqërua edhe nga sekretari i përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi.

Sipas kontratës së nënshkruar nga Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismaili, faza e ndërtimit ishte paraparë të zgjaste 3 vjet.

Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook