Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Pozita e ministrit të shëndetësisë ka mbetur peng e grupit të interesit brenda LVV-së dhe Listës Guxo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mos emërimin e ministrit të ri të shëndetësisë pas dorëheqjes së ish ministrit Rifat Latifi.

Haxhiu ka thënë se kjo pozitë është peng i grupeve të interesit brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit me Listën Guxo.

“Kur ne kemi kërkuar debat për gjendjen alarmante në sektorin e shëndetësisë, Kurti kishte themeluar Komitetin ekzekutiv për shëndetësi, ky komitet u themelua për të mbuluar dështimin në sektorin e shëndetësisë. Tani shëndetësia ka mbetur edhe pa ministër, tani Albin Kurti nuk merr vendim për të emëruar një ministër. Sepse pozita e ministrit të shëndetësisë ka mbetur peng e grupit të interesit brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit të Listës Guxo”- ka thënë Haxhiu.

Ai tutje ka folur për rezolutën e iniciuar nga PDK për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

“Rezoluta e propozuar nga ne kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi nga Qeveria për të sanuar situatën në shëndetësi. Asnjë ligj për shëndetësi nuk e ka sjell qeveria Kurti dhe dy ligje që ne i propozuam Qeveria nuk i mbështeti”- ka thënë Haxhiu.

Ai ka cekur disa nga sfida me të cilat përballet sektori i shëndetësisë teksa ka thënë se kjo është si pasojë e keq menaxhimit.

“Kemi mungesë të barnave, kemi rritje të listave të pritjes për operacione dhe kemi ikje enorme të profesionistëve shëndetësor dhe askush askujt nuk i jep llogari”- ka shtuar Haxhiu.

Kuvendi është duke e shqyrtuar rezolutën të iniciuar nga PDK lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.