Ministri i Brendshëm venezuelas tregon se 100 persona u vranë gjatë sulmit amerikan

Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, ka thënë të mërkurën mbrëma – sipas kohës lokale –  se 100 persona vdiqën në sulmin amerikan, me të cilin të shtunën (03.01.2026) u rrëzua nga pushteti presidenti Nicolas Maduro, ka raportuar të enjten Reuters

Karakasi nuk ka treguar më parë ndonjë shifër të të vrarëve, por ushtria ka publikuar një listë me 23 emra të personelit të saj të vrarë.

Zyrtarët venezuelas kanë thënë se një pjesë e madhe e kontingjentit të sigurisë së Maduros u vra “me gjakftohtësi”, dhe Kuba ka thënë se u vranë edhe pjesëtarë të shërbimeve të saj ushtarake dhe të inteligjencës në Venezuelë.

Gruaja e Maduros, Cilia Flores, e kapur së bashku me të, ka pësuar një dëmtim në kokë gjatë bastisjes amerikane, ka thënë Cabello, dhe Maduro një dëmtim në këmbë.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriquez, të cilën Cabello e vlerësoi gjatë emisionit të tij javor në televizionin shtetëror si “të guximshme”, ka shpallur të martën një javë zie për anëtarët e ushtrisë të vrarë në aksionin amerikan.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com