Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit

Ministri i Brendshëm i Bosnjës: Pretendimet për blerjen e armëve nga Radoiçiq do të hetohen

Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Ramo Isak, ka thënë se do t’i hetojnë pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se armët e përdorura në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit janë blerë nga vendi i tij, përkatësisht qyteti i Tuzles.

Isak në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ende nuk e di “nëse pretendimet për blerjen e pretenduar të armëve në territorin e Bosnjë-Hercegovinës janë të vërteta”.

Ai ka thënë se për vërtetimin e këtyre pretendimeve është paraqitur kërkesa për hetim.

“Drejtori i Administratës Policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës së BeH, Vahidin Munjiq i dërguar një letër Prokurorisë Kantonale të Kantonit të Tuzlës duke kërkuar pëlqimin e ushtruesit të detyrës së prokurorit për Administratën Policore për të kontrolluar pretendimet”- tha ai.

“Drejtori i Administratës Policore nesër do të zhvillojë një takim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Kantonale të Kantonit të Tuzlës dhe një nga temat e takimit do të jenë pretendimet nga Republika e Serbisë. Kur autoritetet hetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës të sqarojnë situatën, ne do ta informojmë publikun në mënyrë transparente nëse pretendimet janë të vërteta apo jo”- theksoi ai.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd në një deklaratë të lëshuar dje, ka pretenduar se nga janari 2023 deri më 24 shtator [Millan Radoiçiq] ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Nga Policia e Kosovës e nga Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi ka pasur deklarime se armët e grupit terrorist që u zunë në Banjskë dhe zonën përreth janë të prodhuara në Serbi dhe viti i prodhimit të disa prej tyre (viteve të fundit, madje edhe më 2023) lë të kuptojë se grupi është furnizuar nga institucionet e Serbisë.

Në një konferencë për media më 1 tetor, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se në mesin e armëve të sekuestruara ka edhe predha të prodhuara në vitin 2023 në Serbi, të cilat, sipas tij, nuk mund të blihen në tregun e zi dhe se ato mund të gjenden vetëm në fabrikën që i ka prodhuar ose në depo të ushtrisë apo policisë.

Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari tashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.

Radoiqiq dje është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale – prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese,  dhe – krime të rënda kundër të sigurisë së përgjithshme. Ai është liruar nga masa e ndalimit.

 

Prokuroria serbe pretendon se Radoiçiq armët i bleu në Bosnjë, Policia e Kosovës thotë se ato u prodhuan në Serbi