Greva e minatorëve në Trepçë. Foto: KALLXO.com.

Menaxhmenti i Trepçës: Kërkesat e minatorëve nuk kanë konsistencë

Minatorët në minierën e Trepçës kanë hyrë sot në ditën e tretë grevës, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre është rënduar.

Minatorët në minierën e Stantërgut  kanë hyrë në grevë duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 6–10 [në fillim të çdo muaji]; Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Bordi mbikëqyrës i përkohshëm i drejtorëve ka publikuar një raport për situatën në minierën Stantërgut.

Ky bord ka thënë se pas shpjegimit dhe adresimit të secilës kërkesë të minatorëve janë njoftuar se e vetmja kërkesë aktive mbetet ajo që ka të bëjë me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së krye shefit aktual.

Ata kanë thënë se janë duke bërë matjen e vazhdueshme të përformancës së zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve pulbike dhe se çdo shkelje do ta adresojnë tek organet kompetente.

“Sa i përket kësaj kërkese ne si Bordi mbikëqyrës i përkohshëm i drejtorëve mund të garantojmë që jemi duke bërë matjen e vazhdueshme të përformancës së zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike, sipas ligjit dhe gjithsesi që çdo shkelje do t’a adresojmë te organet kompetente dhe do të ndërmarrim masa të duhura”- thuhet në raportin e publikuar.

“Gjithashtu, ne kemi kërkuar që sa herë posedojnë informatë për shkelje, të adresohet tek ne dhe ne do ta trajtojmë me profesionalizëm dhe me prioritet ashtu që te mos dëmtohet ndërmarrja. Trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndërmarrjen si dhe vendimmarrjen ne e bëjmë vetëm të bazuar në argumente dhe në fakte konform rregullave dhe ligjeve në fuqi”- vazhdon raporti i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes, ‘Trepça’.

Bordi mbikëqyrës i përkohshëm i drejtorëve ka kërkuar nga udhëheqësit e njësisë informata për numrin e saktë të grevistëve, gjendjen shëndetësore të tyre, organizatorët si dhe arsyetimin për kërkesat e grevës.

Informata këto që ky bord thotë që nuk i kanë marrë.

Bordi e ka quajtur brengosese që sipas tyre kërkesat e grevistëve ndryshojnë dhe nuk ka konsistencë të kërkesave; mungojnë informatat për organizatorët e grevës dhe inicimin e grevës si dhe mungojnë informatat për grevistët dhe për shëndetin e tyre.

“Sot, ne shprehim brengën tonë për shëndetin, sigurinë dhe jetën e minatorëve dhe lusim të gjithë udhëheqësit e njësive që të bëjnë të pamundurën për t’i bindur minatorët që detyra e vetme mbetët përkushtimi për punë si dhe presim me padurim normalitetin e situatës në minierë dhe kthimin e minatorëve në jetën e përditshme”- ka bërë thirrje Bordi mbikëqyrës i përkohshëm i drejtorëve të ndërmarrjes, ‘Trepça’.

 

 

Menaxhmenti i “Trepçës” i quan “shpifje” deklarimet e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, kërkon të ndërpritet greva