Ilustrim

Pagat e ulëta, punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë paralajmërojnë grevë nga 5 shkurti

Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë kanë paralajmëruar hyrjen në grevë nga e hëna e ardhshme për shkak të pagave të ulëta.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi ka thënë se punëtorët nuk do t’i kthehen punës me pagat aktuale.

“Shumë shkolla në Prishtinë nga e hëna do të mbesin pa shërbime nga punëtorët teknik, pasi që ata do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Këta punëtorë kanë marr vendim që nëse nuk do të ketë sukses greva brenda javës së ardhshme, ftojnë komunën që të gjejnë punëtorë tjerë, sepse këta më nuk do t’i kthehen punës me kto paga, vendim i të gjithë punëtove në mënyrë unanime”- ka shkruar Azemi në Facebook.

Më 21 nëntor 2023, punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe disa shkollave kanë protestuar para Komunës së Prishtinës me kërkesë për rritje të pagave.

Këta punëtorë që funksionojnë në kuadër të kompanive private kanë paga nën 300 euro. Atë kohë, ishte dhënë afat prej dy javësh për tu përmirësuar kjo gjendje.

Atë ditë, përfaqësuesit ishin pritur në takim nga nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Ne si komunë e Prishtinës nuk kemi ndikim direkt tek kompanitë private për rritje të pagave, por e kemi mundësinë që të hyjmë në diskutim me ta dhe përmes proceseve tona të prokurimit të fillojmë negociimin që këto paga të rriten sepse aktualisht janë tepër të ulëta”- pati thënë ai.