Hage: Seanca e Apelit ne rastin e Salih Mustafes

Mbrojtja e Salih Mustafës paraqet 51 pika kundershtimi për dënimin ndaj tij

Avokati Julios Von Bone ka paraqitur 51 pika për të kundërshtuar vendimin e dënimit të Salih Mustafës.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar seanca e Apelit në çështjen ndaj ish-komandantin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Ish-komandant “Cali” ka apeluar aktgjykimin e dhënë nga trupi gjykues në dhjetor të vitit 2022, ku u gjet fajtor dhe u dënuan me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

Julios Von Bone të enjten kërkoi nga Paneli i Apelit ta rrëzojë vendimin e fajësisë, ta lirojë dhe ta shpallë të pafajshëm, ose ta kthejë çështjen tek trupi gjykues, ose nga ana tjetër ta ulë dënimin.

Von Bone ka theksuar se gjykimi dhe dënimi i shqiptuar ndaj Mustafës janë të gabuar.

“Gjykimi është i gabuar dhe dënimi është i gabuar” – tha mbrojtësi.

Sipas avokatit, dënimi i shqiptuar është në disproporcion.

Avokati ka argumentuar se standardi për vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarëve nuk është zbatuar në mënyrë të drejtë nga trupi gjykues.

Sipas tij, trupi gjykues ka bërë një gabim duke mos zbërthyer standardet e drejtës dhe të paanshmërisë në vlerësimin e dëshmitarëve të mbrojtjes. Gjithashtu, trupi gjykues ka shfaqur hezitim në mohimin e ekzistencës së vendndalimit në kompleksin e Zllashit.

Mbrojtja thotë se vetëm dy kritere të dëshmitarëve janë zbatuar tek dëshmitarët e mbrojtjes që kanë thënë se nuk kishte ndalim në kompleksin e Zllashit.

Avokati i tij, Julius Von Bone, ka shprehur dyshimet se dënimi ndaj Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022 ku Trupi Gjykues e shpalli  Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.