Diskutimi i koalicionit të OJQ-ve: “Identifikimi dhe ekspozimi i korrupsionit: Sfidat në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor Publik të Kosovës”
Mbahet diskutimi rreth trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore
Problemet e vazhdueshme në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, përkatësisht programin për trajtim jashtë vendit të pacientëve, u trajtuan të hënën në një takim joformal mes organizatave joqeveritare dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri.
Të ftuar në këtë diskutim ishin edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve si Ministria e Shëndetësisë dhe deputetë të Komisionit parlamentar të shëndetësisë, por të njëjtit nuk morën pjesë.
Aktualisht, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, programi për trajtim jashtë vendit, numëron afër 30 milionë euro borxhe.
“Borxhet janë afër 30 milionë euro, por për shkak të specifikave kjo shifër nuk është definitive. Ky është një problem që e kemi trashëguar dhe për të cilin jemi atakuar shpesh, herë me të drejtë e herë pa të drejtë” – ka thënë Bujar Kaçuri.
“Dua të them që, nuk është përgjegjësia krejt te Fondi për gjendjen në të cilën jemi. Problemi është më i thellë sesa thuhet ose raportohet” – tha ai.
Në anën tjetër, Saranda Ramaj, gazetare që trajton tema të shëndetësisë, tha se për gjendjen në programin për trajtim jashtë vendi fajtor është edhe institucioni i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Unë i kam lexuar për tre vite me radhë secilin fletë-referim dhe pajtohem me ato që tha drejtori, përveç faktit që mjekët nuk mund të vendosin se cila diagnozë të subvencionohet nga shteti ose jo, për atë është shkallshmëria dhe për atë i mbetet bordit të vendosë” – tha ajo.
“Është përgjegjësi e Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Ligji ia jep atë përgjegjësi. Nuk ka shanse ShSKUK-ja me dërgu dikë për trajtim jashtë vendit nëse trupat brenda brenda Fondit nuk e kryejnë punën si duhet” – vlerësoi Rama.
Mexhide Demolli, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, kritikoi mospjesëmarrjen e zyrtarëve shtetërorë për të diskutuar mbi problemet me të cilat përballet Fondi.
“Të ftuar për të diskutuar kanë qenë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë e deputetë të Kuvendit të Kosovës, të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, por ata nuk kanë ardhur” – tha ajo.
Diskutimi joformal u organizua sot nga Lëvizja FOL, si pjesë e koalicionit të përbërë nga D4D, Columbus, Internews Kosova, AGK dhe AKTIV.
Në këtë takim u diskutua po ashtu edhe në lidhje me sfidat me të cilat po përballet aktualisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, bashkëpunimin ndërinstitucional, çështja e kornizës rregullative për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike, e çështje të tjera.
Ky aktivitet është mbështetur nga National Democratic Institut, në kuadër të projektit “Identifikimi dhe ekspozimi i korrupsionit: Sfidat në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor Publik të Kosovës”. Mendimet e shprehura në këtë diskutim janë të autorëve dhe nuk shprehin pikëpamjet e NDI.