Gazetarja Saranda Ramaj - Grupi Koha

Historia e padisë kundër gazetares në të cilën gjykata nuk vendosi për masën siguruese për 1706 ditë

Standardi ligjor për gjykim të shpejtë ka mbetur vetëm në letër në trajtimin e lëndëve të shpifjeve në gjykatën e Prishtinës. Kjo gjykatë edhe pse mbajti seancë në trajtimin e rastit në mes Gazmend Halilajt dhe gazetares Saranda Ramaj e Grupit “KOHA” nuk arriti që për rreth 1706  ditë të vendosë nëse në këtë rast duhet të ketë masë të sigurisë.

BIRN ka analizuar procedurën e ndjekur në këtë rast duke nxjerrë të dhëna të cilat tregojnë që gjykata nuk arriti të përmbushë kërkesën për ta vendosur rastin.  

Të dhënat tregojnë se avokati Gazmend Halilaj dorëzoi padinë me pretendime për shpifje dhe fyerje më 26 shkurt 2019, ku bashkëngjiti edhe një kërkesëpadi me propozim për masë të sigurisë.

Masa e sigurisë është kërkesë që ndalon transmetimin dhe publikimin e materialeve deri në fund.

Kërkesëpadia me propozim për masë të sigurisë konsiderohet urgjente dhe në kushte normale duhet të vendoset për të aq më shpejtë që është e mundur, paçka që ligji nuk parasheh një afat preciz për trajtimin e saj.

Dosja tregon se gjyqtari Adnan Konushevci tentoi t’i respektojë standardet kur dy ditë pas dorëzimit të kërkesës për masë të sigurisë, më 28 shkurt 2019, i kishte njoftuar palët që brenda afatit 7-ditor Grupi Koha dhe gazetarja Saranda Ramaj mund të paraqesin përgjigjet e tyre karshi kësaj kërkese.

Megjithatë seanca për trajtimin e këtij propozimi është mbajtur tek 5 vite më vonë, në tetor të vitit 2023.

Në historikun e lëndës shkruhet se janë caktuar dy data të gjykimit në vitin 2020 mirëpo në këto seanca nuk ishte marrë vendim.

Ligji i shpifjes nuk cakton standard kohor brenda të cilit duhet të vendoset për masën mirëpo standardet e përgjithshme tregojnë se kërkesat për masa të sigurisë janë urgjente.

Trajtimi i ngadaltë i kësaj procedure bie ndesh edhe me Planin Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, i miratuar që në vitin 2022.

Dy elemente indikative të këtij plani obligojnë në zgjedhjen me prioritet të rastit në fjalë, faktin se lënda është më e vjetër se 24 muaj dhe në anën tjetër faktin se në kontest kemi të përfshira palë të ndjeshme – përkatësisht, gazetarë.

Hulumtimi i zhvilluar nga BIRN nxjerr në pah se gjykata nuk ka përgatitur një plan të seancave për zgjedhjen e rastit në fjalë. Konform praktikës së përgjithshme secila seancë caktohet me datë dhe kohë veç e veç.

Përpjekjet për mbajtjen e seancës në këtë rast dështuan disa herë. Tentativa e parë ishte në mars të vitin 2020. 

Në njoftimin e shtyerjes së kësaj seance gjykata nuk jep asnjë arsyetim pse diçka e tillë ka ndodhur.

Në ndërkohë jeta vazhdon jemi në vitin 2022 dhe gjyqtari i lëndës Adnan Konushevci avancohet në gjykatën e Apelit, dhe lënda me short i kalon një gjyqtareje të re Greta Ibraj.

Kjo e fundit nisi të ndërmarrë veprime në tetor 2023.

Në shënimin zyrtar të datës 5 tetor 2023 gjyqtarja Greta Ibraj potencon se “lidhur me propozimin për caktimin e masës së sigurimit, gjyqtari paraprak i çështjes ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, duke caktuar edhe seancë, megjithatë propozimi ka mbetur pa u vendosur deri më tani”.

Mëtutje nuk elaborohen arsye për zvarritjen e procesit, apo së paku për mosvendosjen lidhur me masën  urgjente. 

Kur kanë kaluar plotë 1707 ditë, përkatësisht me datë 30 tetor 2023 më në fund mbahet seanca dëgjimore lidhur me shqyrtimin e kërkesës lidhur me masën e sigurimit.

Në seancën e mbajtur me 30 tetor 2023 paditësi Gazmend Halihaj nuk paraqitet dhe kërkesa konsiderohet e tërhequr. 

Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për BIRN Kosova thotë se pikërisht vonesa për trajtimin e rastit ka bërë që ai të mos marrë pjesë në seancë.

“Për këso çështje [për të vendosur për masa të sigurimit] gjyqtari duhet të vijë nga pushimi, është njëlloj si te paraburgimi… dhe vonesa është arsyeja pse nuk kam marrë pjesë [në seancën për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit], në çështje kryesore po [do të marrë pjesë]” – thotë avokati Gazmend Halilaj.

Si rezultat i tërheqjes, çështja mbeti e pavendosur dhe si rrjedhojë mbeti e pavendosur edhe dilema nëse kjo kërkesë ishte një kërkesë e formatit të padive SLAPP.

“Gazmend Halilaj ka aktgjykim dënues të shkallës së parë për ato që unë kam raportuar, ndaj do të kisha dashur me u vendosë [çështja] në gjykim meritor dhe jo me u tërheqë për shkak të mospjesëmarrjes” – thotë Saranda Ramaj.

Në anën tjetër avokati Halilaj ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë është prishur nga Apeli, teksa pretendon se po ndiqet për një vepër që nuk është në Kod Penal.

“E ka prishë vendimin e Themelores Apeli e ka bo copa. Vepra për të cilën akuzohem nuk është e paraparë në Kod Penal. Nuk ka çka rigjykohet aty sepse vepra nuk është në Kod Penal, dhe shteti nuk ka fuqi juridike me ndjekë për diçka që nuk ekziston në Kod” – ka thënë avokati Gazmend Halilaj përmes telefonit.

Cilat janë pretendimet e palëve në kontest?

Beteja gjyqësore në mes të avokatit Gazmend Halilaj dhe gazetares Saranda Ramaj nga Grupit Koha nisi në vitin 2019 dhe subjekt i padisë janë raportimet rreth rastit të abuzimit seksual të 16-vjeçares nga Drenasi.

Avokati Halilaj ishte ndjekur penalisht në këtë rast ndërsa ai pretendon se gjatë raportimeve kishte materiale të pavërteta. Në anën tjetër gazetarja Ramaj dhe Grupi Koha kanë qëndruar prapa raportimit duke e quajtur padi SLAPP këtë veprim.

Çështja kryesore në rast nuk është vendosur ende pasi padia do të shqyrtohet në seanca gjyqësore.