Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pozita e drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, e ‘padëshiruar’ në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë asesi s’po mund ta zgjedhë drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Si rrjedhojë ky institucion ka një vit e katër muaj që është duke funksionuar me ushtrues të detyrës së drejtorit (UD).

Konkursi për këtë pozitë ka dështuar tre herë radhazi, pasi herën e fundit dhe atë paraprake, ka pasur vetëm nga dy kandidatë.

Sipas Rregullores për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues, neni 7 pika 7 thuhet se “Nëse numri i aplikacioneve të pranuara të kandidatëve është më pak se tre (3), procedura e konkurrimit ndërpritet dhe një procedurë e dytë e hapur e konkurrimit organizohet ku mund të aplikojnë edhe kandidatët jashtë shërbimit civil. Një procedurë e dytë e hapur organizohet edhe në rastet kur së paku dy (2) kandidatë nga kandidatët që kanë aplikuar (tre e më shumë) nuk janë vlerësuar nga komisioni i pranimit, me më shumë se 70 për qind të pikëve të përgjithshme të vlerësimit”.

Kjo temë ishte në rend dite edhe në mbledhjen e Bordit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të mërkurën më 24 janar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri tha se nuk e di arsyen se pse s’ka pasur aplikantë.

“Kemi menduar që do të jetë numri shumë i madh i kandidatëve që do të aplikojnë mirëpo na doli e kundërta. Nuk kemi ndonjë arsye apo element që kemi vërejtur se pse njerëzit nuk kanë pasur interesim për të aplikuar për këtë pozitë”- tha Kaçuri.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vita që është edhe kryesues i këtij Bordi, tha se nuk po e kupton se pse s’ka aplikantë.

“Kisha dëshirë që sot në këtë mbledhje të merrte pjesë edhe zyrtarja ligjore nga MSh-ja, e cila ishte në njërën nga mbledhjet tona që të sigurohemi që të mos ketë asnjë problem të natyrës ligjore, qysh nga shpallja e konkursit në mënyrë që të mos dështoj konkursi. Jam i dëshpëruar me dështimin e këtij konkursi, me mos interesimin, se njëherë e kemi ditë që problem ka qenë përvoja menaxheriale, si një ndër arsyet e mos aplikimit të kandidatëve në këtë konkurs mund të jetë edhe kjo pjesë e kërkuar dhe marr parasysh që një pjesë e madhe e zyrtarëve nuk e kanë pasur atë përvojë, i ka pamundësuar një numri të madh të aplikantëve në këtë konkurs me apliku”- tha Vitia.

Ai shtoi se me këtë ndryshim që e kanë bërë në konkursin e fundit, pra me një fleksibilitet, ka thënë se ka shpresuar shumë që do të ketë shumë kandidatë për këtë pozitë.

“Kam shpresu që numri i kandidatëve ka me qenë i tillë në mënyrë që s’ka me dështu ky konkurs. Dhe ky është njëri nga dështimet më të mëdha që i kisha vitin e kaluar, kur më erdhi si lajm që numri i kandidatëve është vetëm dy dhe si rrjedhojë nuk mundemi që të procedojmë tutje. Kam kërkuar prapë edhe nga zyra ligjore që të ma bëjë një interpretim se pse ka ndodhur kjo dhe në një përgjigje që e kam marr ka qenë se në preambulë kur është bërë thirrja dhe nenet në të cilat janë thirrë është e pamundshme me procedu me vetëm dy kandidatë”- ka thënë tutje Vitia.

Kryesuesi i Bordit, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se në mbledhjen e ardhshme do të merr pjesë edhe zyrtarja ligjore në mënyrë që siç thotë ai të bëhet një plan për konkursin e radhës e të jetë i suksesshëm.

Konzorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch”, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kishin kërkuar që ky konkurs të anulohej, për shkak siç kanë thënë ‘të paligjshmërisë dhe shkeljes së parimeve të meritokracisë’.

CorrWatch konsideron që kërkesa e përgjithshme e paraqitur në konkurs, më konkretisht ulja e përvojës së punës është në kundërshtim me Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Më saktësisht, me konkursin e ri kërkohen së paku pesë (5) vite përvojë pune profesionale dhe dy (2) vite përvojë pune menaxheriale. E gjithë kjo lëvizje dhe tendencë për zvogëlim të kritereve të përvojës lë dyshimin për kurdisje të kritereve për kandidatë të caktuar dhe gjetje nga jashtë të kandidatit preferencial që i përshtatet përvojës së zvogëluar”- thuhej në kërkesën e këtij konzorciumi të organizatave më 2 nëntor 2023 kur edhe ishte publikuar konkursi në uebfaqen e FSSH-së.

Ndryshe më 21 korrik të vitit 2022, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku, në një konferencë për media kishte lajmëruar se është suspenduar (largim i përkohshëm) drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Ky vendim ishte marrë në mbledhjen konstituive të Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Dy javë më vonë, i njëjti Bord kishte marr vendim që Plakiqi të largohet përfundimisht nga kjo pozitë.

Për të njejtën temë është diskutuar edhe në emisionin “Kallxo Përnime”, më 13 shkurt 2023.