Mashtrimi me viza italiane, rrëfimet e dëshmitarëve si kishin paguar nga 3,500 deri në 4,000 euro                               

Gjykimi ndaj 16 të akuzuarve në rastin e vizave italiane ka vazhduar sot me dëgjimin e dëshmitarëve, tre prej tyre të propozuar nga Prokuroria Speciale.

Fitim Beqiri, Azat Beqiri, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Marigona Berisha, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, po përballen me akuza për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë. Në korrik të vitit 2020 ndaj këtyre të akuzuarve u veçua procedura penale.

Sipas Prokurorisë të njëjtit veprimtarinë e tyre e kanë ushtruar në formë të grupit kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët.

Kujtojmë që Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri, janë liruar nga akuza lidhur me rastin e vizave italiane.

 

Ukë Rugova lirohet nga akuza për rastin e vizave italiane, reagon bashkëshortja e tij

 

Në seancën e së enjtes (15.06.2023) fillimisht dëshminë e dha dëshmitarja V. P., e cila rrëfeu para trupit gjykues se si kishte qenë e interesuar për të marrë vizë italiane përmes një personi me emrin Shaqë.

Në vazhdim V. P. rrëfeu ky person ia mori pasaportën me premtimin se do ia kthejë me vizë, nuk ia kthehu më asnjëherë të njëjtën. Kurse për këtë shërbim të njëjtës i ishte kërkuar shuma prej 7 mijë eurosh.

E njëjta deklaroi se sa herë që kishte tentuar të aplikonte për pasaportë figuronin persona të tjerë.

“Sa herë i qitsha gishtat, dilshin femra të tjera”, u shpreh ajo përballë trupit gjykues.

Lidhur me këtë dëshmitarja bëri të ditur se kjo situatë e ka dëmtuar shumë për një kohë të gjatë.

Mirëpo nuk arriti të identifikojë se cili nga të akuzuarit ishte personi që e mashtroi, edhe pasi të njëjtit u ngritën në këmbë me leje të trupit gjykues me kërkesë të avokatit Afrim Salihu.

E njëjta nuk paraqiti kërkesë pasurore juridike në lidhje me dëmet që i ishin shkaktuar.

Tutje u dëgjua dëshmitari E. S., i cili deklaroi se në vitin 2013 ishte interesuar për një vizë italiane për të birin e tij.

Ai u ballafaqua me deklaratën që e kishte dhënë në polici, ku kishte cekur se një person me emrin Alban ia kishte kërkuar shumën prej 3,500 – 4,500 euro për rregullimin e vizës.

Këtë shumë ai ia kishte dhënë pasi e kishte marrë vizën e premtuar.

Në vazhdim u dëgjua S. V., dëshmitari i fundit për seancën e së enjtes.

Ky dëshmitar po ashtu u ballafaqua me deklaratën e tij të dhënë në polici në vitin 2014.

Në fillim të dëshmisë së tij ai specifikoi se aplikimin e tij për vizë e kishte bërë përmes ambasadës.

I njëjti deklaroi se shumën prej 3 mijë eurosh ia kishte dhënë një personi me emrin Ardian Beqiri, por nuk kishte arritur të marrë vizën kurse pasaportën ia kishte kthyer policia.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues Vesel Ismaili, lidhur me mënyrën e marrjes së pasaportës nga ana e policisë, dëshmitari u përgjigj se nuk kishte njohuri se pasaporta kishte rënë në dorën e policisë.

S. V. u shpreh se të akuzuarin Azet Beqiraj e njeh përmes një lokali ku ky i fundit ka shitur rroba.

Seanca pritet të vazhdojë të nesërmen më datë 16 qershor 2023.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK