Ukë Rugova gjatë seancës gjyqësore | Foto: KALLXO.com

Ukë Rugova lirohet nga akuza për rastin e vizave italiane, reagon bashkëshortja e tij

Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri sot janë liruar nga akuza lidhur me rastin e Vizave Italiane.

Në lidhje me këtë ka reaguar bashkëshortja e Ukë Rugovës, Blerta Kllokoqi Rugova e cila përmes një postimi në Facebook ka thënë se “Sot po rilind një kohë e re”.

“Sot po Rilind një Kohe e Re! Sot po dalim nga ajo humnerë qe plot 9 vite te jetës na i gëlltiti. Do kompensojmë e do vazhdojmë aty ku e lamë e edhe më të fortë se kurrë” – shkruan ajo.

Kllokoqi-Rugova ka theksuar se Ukë Rugova mbetet personi më i afërt i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

“Uka ka qenë dhe mbetet personi me i afërt i Presidentit Rugova dhe njëkohësisht Uka është dhe mbetet enciklopedi në vete” – ka deklaruar Kllokoqi-Rugova.

Ajo u shpreh se ndien urrejtje ndaj gjithë atyre që sipas saj “Që orkestruan e sulmuan figurën e Presidentit Rugova përmes Ukës”.

“Me më pyet mua, edhe sot e kësaj dite shpirti më dhemb e ndjej urrejtje në brendësi ndaj gjithë atyre që orkestruan e sulmuan figurën e Presidentit Rugova përmes Ukës sepse nuk arritën ta bënin një gjë te tille sa ai ishte gjallë, por është Uka ai që nuk më lejon të ushqehem me urrejtje, se Presidenti kishte thënë, jemi pak dhe s’kemi asnjë shqiptar për te gjuajtur”- ka shkruar bashkëshortja e Ukë Rugovës.

Gjykata sot i ka liruar nga akuza Ukë Rugovën, Astrit Haraqijajn, Qefser Bahollin, Izet Beqirin pasi nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale – krim i organizuar dhe kontrabandim me emigrantë.

Sipas prokurorisë të njëjtit kishin marrë pjesë në sigurimin e vizave italiane për së paku 500 persona.

Mirëpo Gjykata ka dënuar Ukë Rugova me 6 mijë euro për veprën penale armëmbajtës pa leje.

Ndërsa Ilaz Beqiri dhe Qefser Baholli për të njëjtën vepër janë dënuar me 3,500 euro secili veç e veç.

Për të akuzuarin Florijan Petani  është refuzuar aktakuza për shkak të veprës penale krim i organizuar lidhur me veprën  penale kontrabandim me emigrantë.

Prokuroria në fjalën përfundimtare për të akuzuarin Florian Petani, i cili bënë pjesë në grupin e parë të Ukë Rugovës, në fjalën përfundimtare është tërhequr nga akuza.

Me arsyet se ndaj Petanit në shtetin e Italisë është zhvilluar procedurë penale për rastin e njëjtë.

Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani janë personat e akuzuar në grupin e parë i njohur si rasti “Ukë rugova”

Të lartë cekur akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë kishin ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e të tjerët lirohen nga akuza për rastin e vizave italiane