Arbërie Nagavci

MASHTI planifikon ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencë për media ka bërë të ditur se kanë planifikuar ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara.

“Jemi duke punuar edhe në adoptimin e objekteve adoptuese për shndërrimin e tyre në çerdhe të reja dhe po fillojmë punën për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara si një model i ri i çerdheve” – ka thënë Nagavci.

Ngavci ka bërë të ditur se ndërtimi i këtyre çerdheve mund të behet për katër deri në gjashtë muajve.

“Kemi përfunduar edhe studimin për fizibilitetin për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara, modele të cilat janë në rritje dhe këto çerdhe në kuadër të agjendës së gjelbër në kohën e ndërtimit të tyre, ruajtjes së ambientit, mundësojnë edhe sigurinë e fëmijëve dhe krijojnë hapësirë për komunat që edhe në afërsi të shkollave të mund të planifikojmë ndërtimin e çerdheve si model i ri”- ka treguar Ministrja.

Tenderi për ndërtimi i çerdheve të parafabrikuara pritet që të hapet në ditët në vazhdim.

Ministrja ka thënë se ende nuk dihet numri i çerdheve të parafabrikuara të cilat do të ndërtohen, por kjo të varet nga kërkesat që kanë komunat.

“Si do të arrijmë brenda këtij 2 vjeçari (ndërtimin e çerdheve) do të punojmë në tri drejtime paralelisht, me çerdhet klasike, me ri adoptim të hapësirave ekzistuese dhe me çerdhet e parafabrikuara”- ka thënë ajo.

Çerdhet e parafabrikuara janë objekte të cilat parashihen të ndërtohen në punishte dhe si të tilla do të dërgohen në lokacionet e caktuara.