Ndalimi i ngrohjes nga “Termokos”, telashe për shkollat e çerdhet në Prishtinë

Si pasojë e mosfurnizimit me avull nga KEK-u “Termokos” ka ndalur ofrimin e shërbimit të ngrohjes në kryeqytet, andaj si opsion të ngrohje, çerdhet po e shfrytëzojnë energjinë elektrike.

Vazhdimi i punës po vijon të jetë i njëjtë si ditëve tjera në çerdhen “Lulevera” të Prishtinës, ndërsa mungesa e ngrohjes qendrore, sipas drejtoreshës Mihrije Spahiu i detyron që për këtë qëllim ta shfrytëzojnë energjinë elektrike.

“Ne e kemi opsionin edhe të ngrohjes me rrymë dhe mundemi me e aktivizu nxehjen”, tha Spahiu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me shkolla e çerdhe të tjera në kryeqytet.

Azem Jaha, drejtor i Shkollës së Mesme të Lartë “Xhevdet Doda” tha se procesi mësimor është momentalisht duke vazhduar njëjtë si ditëve të kaluara.

“Nuk kemi problem”, tha Jaha për KALLXO.com.

Si zgjedhje për ngrohe ai tha se janë duke punuar që të aktivizojnë ngrohtoren me derivate të naftës.

“Ndërkohë kemi me aktivizu nxehjen me naftë në shkollë”, tha ai.

Një problem për vazhdimin e mësimit doli të jetë edhe në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Hasan Prishtina”.

Drejtoresha Sofije Bunjaku ka thënë për KALLXO.com se nëse nuk lëshohet ngrohtorja e qytetit, atëherë procesi i mësimit nuk mund të vazhdoj.

“Deri në mbrëmje shkolla ka me u ftohë, sipas mendimit tim nuk mund të vazhdojmë mësimin në këto temperatura”, tha Bunjaku për KALLXO.com.

E njëjta ka thënë se në këtë shkollë nuk është se po vërehet se ka ndonjë dallim në krahasim me ditët e kaluara, kjo pasi shkolla është ndërtim i vjetër është me e ftohtë.

Në çerdhen “Xixëllonjat” në Prishtinë mosfurnizimi me ngrohje nga “Termokos” nuk po del të jetë problem.

Drejtoresha Mimoza Morina në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se për momentin nuk kanë problem pasi objekti është shumë i nxehtë.

Megjithatë ajo ka thënë se në rast të uljës së temperaturave do të funksionojnë me ngrohje alternative.

“Nuk e ndërkrejmë procesin pasi që e kemi nxehjen alternative”, tha Morina.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Komunën e Prishtinës, mirëpo deri më momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.

Kur do të fillojë të funksionoj “normalisht” ngrohtorja e Prishtinës”?

Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se nesër në mëngjes do të krijohen kushtet për furnizimin e “Termokosit” me avull për ngrohje qendrore në Prishtinë.

“Nesër në mëngjes, më 16.12.2021, do të krijohen kushtet për furnizimin e ‘Termokosit’ me avull për ngrohje qendrore”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.

Të njëjtit kanë thënë se ndalja e furnizimit me avull për ngrohtorën e qytetit ka ndodhur si shkak i një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1.

“Ekipet e specializuara kanë filluar menjëherë përgatitjet për intervenim e sanimin e gjendjes”, kanë thënë ata.

Pse po ka probleme Kosova me energji?

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dje gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Ekonomi ka thënë se situata më energji elektrike në vend është e jashtëzakonshme.

Kjo sipas saj, për shkak të çmimit të lartë për importim të energjisë elektrike.

Ajo dje theksoi se për muajt nëntor dhe dhjetor janë shpenzuar mbi 12 milionë euro në import të rrymës.

“Një ndër sfidat kryesore që po përballën shtetet, është kriza energjetike si shkak i ngritjes së çmimeve të gazit. Ne kemi pasur një situatë të mirë deri në fillimin e nëntorit, por me rritjen e kërkesës është rritur edhe importi. Është një situatë e jashtëzakonshme sepse importi është shumë i shtrenjtë. Prej momentit që ka filluar kriza në botë, ne kemi qenë në kontakt me KEDS, KEK dhe akterë tjerë”, ka thënë ajo.