Arbërie Nagavci

Nagavci: Përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm do të dyfishohet

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha në “Kallxo Përnime” se deri në fund të mandatit të qeverisë do të dyfishohet përfshirja e fëmijëve në edukim të hershëm.

“Përfshirja e fëmijëve deri në fund të mandatit më së paku do të dyfishohet por jemi edhe duke punuar dhe kemi finalizuar edhe projektligjin për edukimin e hershëm dhe kemi  ndarë buxhet për këtë vit për ndërtimeve e kopshteve të reja, kurse për vitin e ardhshëm do të fokusohemi në shfrytëzimin e hapësirave ekzistuese”, tha Nagavci.

Sipas të dhënave të vitit shkollor 2020/21, në arsimin parashkollor kanë qenë të përfshirë 5,239 nxënës.

Sipas një raporti të publikuar nga Koalicioni i 29 OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) në vitin 2019, vetëm 4.8 për qind të fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor 0-4 vjeç ishin të përfshirë në edukimin parashkollor.

Kjo shifër rritet në 90 për qind për ata të moshës 5 deri në 6 vjeç, në atë që njihet si niveli parafillor.

Sipas të dhënave të mbledhura nga KOMF, shkalla e përgjithshme e pjesëmarrjes në edukimin parashkollor dhe parafillor në vitin 2019 ishte 18.6 për qind.