Foto: VOA

1 shtatori i gjeti shkollat e Kosovës në grevë me përjashtim të një shkolle e disa çerdheve

1 shtatori i sivjetëm i gjeti shkollat e Kosovës me dyer të mbyllura, korridore, klasa e banka pa nxënës si pasojë e grevës së përgjithshme e cila ka filluar në tërë sektorin publik që nga 25 gushti.

Përjashtim ndaj kësaj situate pati  në shkollën e mjekësisë ‘Ali Sokoli’ e cila gjendet në Prishtinë.

Sipas Drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë, Besianë Musumurati, kjo shkollë ishte i vetmi institucion i arsimit para universitar në kryeqytet që nuk mbajti grevë.

“Mësim ka mbajtur vetëm shkolla e mjekësisë ‘Ali Sokoli, shkollat dhe çerdhet e tjera në kryeqytet kanë qenë në grevë sot”- ka thënë e para e kësaj drejtorie.

As në Pejë nuk u mbajt procesi mësimor, mirëpo sipas Drejtorit të Arsimit në këtë komunë ishte shkolla ‘Odise Paskali’ ajo që në vend të grevës pati një ceremoni te veçantë.

“Po është mbajtur greva, edhe realisht greva për mua ka filluar sot, edhe pse janë deklaruar mësimdhënësit para se të hyjnë në grevë ata përgatitjet i kanë kryer të gjitha për fillimin e vitit shkollor. Greva reale e mësimdhënësve ka filluar sot, edhe pse unë nuk jam për grevë dhe nuk e përkrah”- është shprehur Gega.

“Përpos shkollës ‘Odise Paskali’ e cila e bën hapjen e objektit të ri sot, ata nuk kanë paraparë proces mësimor sot, por  kanë paraparë aktivitete të natyrës solemne”- ka shpjeguar Gega për KALLXO.com.

Ndërkaq, ani pse çerdhja publike në Mitrovicë është në renovim, mësimdhënësit e këtij institucioni arsimor dolën për ta shprehur simbolikisht se janë në grevë.

“Sipas raporteve që i kemi marrë të gjitha shkollat janë në grevë, janë shumë më të vendosur se dje, ne e kemi një çerdhe publike ajo është në renovim edhe nja dy javë nuk përfundon por gjithashtu kanë dalë te puna për të treguar që janë në grevë për ta treguar atë solidaritetin”- ka thënë e para e Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu.

Grevës iu bashkuan edhe shkollat në Ferizaj, por plotësisht grevë nuk pati edhe në të gjitha çerdhet.

“Të gjitha shkollat janë në grevë, çerdhja ‘Ardhmëria’ punon deri në ora 12, ndërsa çerdhja që e kemi me Caritas-in punon me orar të plotë”- tha për KALLXO.com Bashkim Bytyçi, nga DKA në Ferizaj.

Një rast i tillë nuk ndodhi në Prizren, pasi sipas drejtoreshës për arsim në këtë komunë Luljeta Veselaj, 1 shtatori i gjeti në grevë edhe shkollat edhe çerdhet në Prizren.

“Sipas raportimeve , edhe çerdhja dhe të gjitha shkollat në Komunën e Prizrenit që menaxhohen nga DKA janë në grevë” – ka thënë Veselaj përmes përgjigjes me shkrim.

Njëjtë ndodhi edhe në Gjakovë, gjë të cilën e konfirmoi për KALLXO.com Zymber Berisha, udhëheqës i sektorit të arsimit në drejtorinë e arsimit në Gjakovë.

“Grevë është mbajtur në të gjitha shkollat dhe çerdhet, që në ora 7 e gjysmë kemi dalë në terren për ta parë situatën”  – ka shpjeguar ai.

Grevë pati edhe në komunën e Shtimes dhe të Fushë Kosovës.

“Janë lajmëruar të gjithë mësimdhënësit por mësim nuk është mbajtur”- ka thënë drejtori i DKA-së në Shtime, Lulzim Sahiti i cili ka pohuar për KALLXO.com se në këtë komunë nuk ka asnjë shkollë apo çerdhe ku nuk është mbajtura greva.

Të njëjtën gjë e pohoi për KALLXO.com edhe Samir Shahini, Drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë.

“Po sot i kam telefonuar drejtorët me rend dhe përfaqësuesit e sindikatës, krejt shkollat dhe çerdhet pa përjashtim janë në grevë” – ishte përgjigjja e Shahinit.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga DKA në Gjilan dhe në Kamenicë, por krerët e këtyre drejtorive nuk kanë qenë të qasshëm deri në momentin kur është publikuar ky artikull.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK të cilët kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre.

Në një konferencë për media, kryetari Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli kishte thënë se kërkesat për të cilat sindikalistët nuk janë ftuar nga Qeveria e Kosovës që të dialogojnë janë:

Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga; Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti, Ligjit nr.04/L-131, e sidomos ndryshimi I Nenit 8, paragrafit 1 e nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të tij, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, e sipas të cilit kërkohet 15 vjet kontribut në skema pensionale para 1 janarit 1999; dhe Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën.