Masakra e Rezallës, Osmani: Sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 25- vjetorin e Masakrës së Rezallës, duke thënë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme.

“Forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra. Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!” – thuhet në kumtesën e Presidentes më 05.04.2024.

Ndërkaq, më 05.04.2024, e vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive, tha kryeministri, Albin Kurti, në 25- vjetorin e Masakrës së Rezallës.

Ai tha se 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të kërkojnë nga Serbia si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e viktimave, zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për ta e familjet e tyre.

Më 5 prill të vitit 1999, serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

I mbijetuari i vetëm i gjallë i kësaj masakre, Ismet Rukolli kishte rrëfyer për emisionin Kallxo Përnime, rreth tri vjet më parë përjetimin e tij të kësaj ngjarjeje të kobshme duke treguar se nuk ka pranuar që të japë dëshminë në Gjykatën në Beograd pasi që nuk ishte ndier i sigurt.