Kurti kërkon drejtësi për viktimat e Masakrës së Rezallës

“E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive”. Kështu ka thënë kryeministri, Albin Kurti, në 25- vjetorin e Masakrës së Rezallës.

Ai tha se 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

“Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta. Pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi” – ka shkruar i pari i Qeverisë.

Kryeministri ka shtuar se më 30.09.2021, nga Kizhevaku i Serbisë janë kthyet eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër.

“Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë.”

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të kërkojnë nga Serbia si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e viktimave, zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për ta e familjet e tyre.

“Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri” – ka thënë më tej Kurti.

Më 5 prill të vitit 1999, serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

I mbijetuari i vetëm i gjallë i kësaj masakre, Ismet Rukolli kishte rrëfyer për emisionin Kallxo Përnime, rreth tri vjet më parë përjetimin e tij të kësaj ngjarjeje të kobshme duke treguar se nuk ka pranuar që të japë dëshminë në Gjykatën në Beograd pasi që nuk ishte ndier i sigurt.

.