Rrëfimi për masakrën e Rezallës, ushtari na qëlloi një nga një me automatik

Ismet Rukolli, është i mbijetuari i vetëm i gjallë i masakrës në fshatin Rezallë të Skenderajt, ku mbetën të vrarë 98 civil.

Me trauma të masakrës, Rukolli ende nuk ka arritur që të bindë veten që të shkoj të jap dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Beograd, pasi që nuk ndihet i sigurt, ndërsa në Prokurorinë Kosovës nuk është ftuar të rrëfehet si dëshmitar deri më sot.

“Në fakt dëshmi kam dhënë shumë sidomos pjesa pas luftës, nuk ka shkuar ditë që nuk ka pasur televizone, por ka pasur edhe që janë preznatuar si KFOR, nga Tribunali i Hagës, UNMIK, EULEX, çdokush që ka qenë i interesuar për t’i dhënë dëshmi unë kam qenë i hapur”, tregon Rukolli.

Rukolli për KALLXO.com ka rrëfyer se nuk ka pranuar që të jap dëshminë e tij në Gjykatën në Beograd pasi që nuk është ndjerë i sigurt.

“Nuk kam qenë në asnjë proces gjyqësor dhe nuk kam informacion nëse dikur është dënuar për masakrën e Rezallës, nuk e di pse, mua para tri viteve më kanë kërkuar që të jap dëshmi në Gjykatat e Serbisë, EULEX-i në Fushë Kosovë, kam shkuar dhe më kanë thënë të jap dëshmi, por unë nuk i kam besuar Gjykatave të Serbisë, për arsyje se aparati shtetror i Serbisë i ka kryer krimet, dhe nuk kam qenë në gjendje që gjakun e të vrarëve këtu me dërgu në Gjykata e Serbisë, kur ne e dimë kush janë ata, dhe ju kam thënë se çfarëdo gjykate tjetër nuk është problem jap dëhsmi, por jo në Serbi”, thotë Rukolli.

Rukolli arrin që të përshkruaj me saktësi personin i cili për të dytën herë qëlloi me kallashnikovë mbi viktimat për t’u siguruar se të gjithë ishin të vdekur.

“Na kanë sjellë në këtë pjesën këtu dhe ata kanë qenë në rrugë, edhe dy prej ushtarëve na kanë sjellë këtu ndërsa diku 20-30 të tjerë kanë qenë në rrugë. Nuk ka zgjatur shumë 3 -4 minuta dhe kanë filluar të gjuajn mbi ne, në ato momente kur kanë filluar unë kam rënë për tokë, axha i babës, Jonuzi ka rënë sipër meje. Gjatë kohës sa kanë gjuajtur unë jam plagosur në dorë dhe shpinë, gjithashtu kur kam rënë më kishte qëlluar plumbi në faqe, që e kam pasur për një kohë të enjtur, sepse kam marr infeksion. Të gjuajturat kanë zgjatur 30 minuta, deri sa ata kanë menduar se nuk ka më persona të gjallë”, rrëfen Rukolli.

Rukolli rrëfen se si ushtari serb, i cili gjuante me automatik të gjithë personat të cilët ndodheshin në rresht, e kishte harruar atë.

“Pas asaj kohe, ka ardhur njëri prej ushtarëve, me automatik dhe ka filluar rend rreshtit me automatik, kur ka ardhur tek unë, duke e ndërruar karikatorin në hap e sipër më ka kaluar, pastaj janë larguar, unë kam qëndruar rreth dy orë nën kufoma, sepse kam menduar se ende janë këtu, derisa i kam dëgjuar dy të plagosur, Pajazit Kelmendi dhe Misin Deliu duke biseduar mes vete, dhe kur i kam dëgjuar e kam ditë se nuk ka këtu ushtar, dhe jam ngritur dhe kam dal poshtë, edhe jam ndaluar aty tek kroni”, rrëfen Rukolli.

Rukolli tregon se tani ai është dëshmitari i vetëm i cili ka mbetur gjallë nga kjo masakër.

“Nga kjo masakër kemi shpëtuar tre persona, unë, Misin Deliu i cili para dy viteve ka vdekur, dhe Sadri Gashi, të cilin pas dy jave e kanë zënë me vëllain e tij dhe e kanë vrarë”, tregon Rukolli.

Dokumentarin e plotë të KALLXO.com mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.