Marigona Geci: Gani Gecin s’ka mundur ta shkatërrojë Millosheviqi, lëre më Hashim Haxhi polari prej Burojës

Deputetja e LDK-së, Marigona Geci ka komentuar një pjesë të deklaratës së Rexhep Selimit, në të cilën, sipas saj, përmendet emri i babait të saj, Gani Gecit.

Ajo ka cituar deklaratën e Rexhep Selimit që sipas Gecit, shpalosen detaje nga biseda me ish-presidentin Hashim Thaçi rreth komunikatës 59.

Tutje, deputetja Geci tha se Thaçi ka tentuar që ta shkatërrojë familjen e saj.

“Pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale kam lexuar një pjesë të deklaratës së Rexhep Selimit rreth babait tim. Të nderuar deputetë, sipas deklaratës së Selimit përmes një thirrje telefonike Thaçi kishte lexuar tekstin e komunikatës 59, kur Selimi e kishte pyetur Thaçin se pse kishte thënë të pavërtetën për Gani Gecin, Thaçi kishte thënë që ta shkatërrojmë plotësisht. Hashim Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë familjen time dhe babain tim” – tha Marigona Geci.

“Familjen time e babin tim s’ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja e Millosheviqit, jo po e shkatërron Hashim Haxhi Polari prej Burojës” – tha deputetja Marigona Geci në Kuvend.

Lidhur me këtë emërtim të përdorur nga deputetja Geci, ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Kujdes fjalorin të nderuar deputetë, kur i referoheni figurave publike” – ka thënë ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka dhënë deklaratën hyrëse në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Prokuroria paraqiti disa komunikata, në mesin e tyre edhe komunikata e 59-të.

Sipas Prokurorisë këto vërtetojnë se Shtabi i Përgjithshëm ndoqi një politikë të shënjestrimit të kundërshtarëve.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuar në Hagë kanë konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.