Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së
LIVE – Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
17:15 – Përfundon dita e parë e gjyqit kundër katër ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka përfunduar deklaratën hyrëse Zyra e Prokuroit të Specializuar.
Kurse të martën, më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat hyrëse.
Në mbylljen e deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson ka thënë se ZPS do të paraqes prova për mbi 40 qendra të ndalimit të UÇK-së.
“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që kanë ndodhur mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së edhe në bazat kryesore të shtabeve të komandës. Nga provat që do të paraqiten, demonstrimet më të qarta janë fjalët dhe veprimet e të akuzuarve. Thaçi, i njohur si ‘Gjarpri’, sipas një dëshmitari ndërkombëtar, kur kishte çështje për të trajtuar, përtej zonës shkonte te Thaçi. Veseli duke e prezantuar veten si gazetar, thoshte se është ‘Luli, të gjithë e dinë kush jam’. Selimi që ka përdorur nofka të ndryshme e ka pranuar se ka qenë në terren të Kosovës. Krasniqi u konsiderua si personi që mishëronte shtabin e UÇK-së” – tha tutje ZPS-ja.
Në seancë është bërë e ditur se janë intervistuar rreth 1.000 dëshmitarë, shumica prej tyre shqiptarë.
Prokuroria ka bërë të ditur se kanë një mori provash, duke përfshirë edhe disa qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve.
Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka vazhduar me prezantimin e provave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,
Prokuroria para trupit gjykues ka paraqitur edhe lokacionet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me dijen dhe udhëheqjen e të akuzuarve.
“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u maltretuan fizikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht”-ka thënë Prokuroria.
Ndërkaq, mbrojtësi i viktimave kërkoi që e vërteta të zbulohet dhe të dëgjohet dëshmitë e dëshmitarëve.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”- tha Simon Laws.
Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjyqit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nesër, seanca do të vijojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
16:23 – Shfaqen pamje të Thaçit me Azem Sylën dhe Shaban Shalën afër një qendre të ndalimit
Prokurori i Specializuar James Pace, ka përshkruar një fotografi në të cilën shihet Hashim Thaçi i armatosur bashkë me pjesëtarët e UÇK-së Azem Syla dhe Shaban Shala, e cila fotografi pretendohet se është shkrepur në Malin e Zatriqit afër Drenocit.
Në Drenoc, siç pretendon prokurori Pace, midis majit dhe korrikut të vitit 1998, së paku 38 persona u mbajtën të ndaluar pa proces ligjor të rregullt në Drenoc.
“Pamja në ekran paraqet Shtabin e UÇK-së në Drenoc, ku janë mbajtur disa të ndaluar. Midis majit dhe korrikut të vitit 1998, së paku 38 persona u mbajtën të ndaluar pa proces ligjor të rregullt në Drenoc. Disa herë midis fundit të prillit dhe fillimit të gushtit të vitit 1998, Hashim Thaçi e vizitoi Drenocin. Në ekran duket Hashim Thaçi i armatosur dhe me uniformë gjatë një vizite në Malin e Zatriqit që është afër Drenocit – ka përshkruar prokurori.
16:20 – Prokuroria: Të ndaluarit u keqtrajtuan mizorisht
Ka vazhduar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokurori James Pace, ka deklaruar se persona të ndryshëm janë ndaluar nga ish-krerët e UÇK-së, të cilët pretendohej se ishin bashkëpunëtorë të serbëve.
Gjatë deklaratës së tij James Pace tha se Hashim Thaçi e Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë.
“Hashim Thaçi dhe Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë, duke i kërkuar që të nënshkruanin deklaratat për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe duke kërkuar të heqin dorë nga LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga të gjitha funksionet parlamentar”-ka shpjeguar ai.
Prokurori më tej tha se të ndaluarit ishin keqtrajtuar pasi u konsideruan si spiunë e simpatizantë të Rugovës.
“Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan se ishin spiunë apo simpatizantë të presidentit Rugova dhe të LDK-së. U morën në pyetje për mbështetje të LDK-së dhe për kundërshtimin e UÇK-së”-citoi prokurori.
Ai ka shpjeguar edhe më tej maltretimet që i janë bërë viktimave.
“Do të dëgjoni se dy prej të ndaluarve ju tha të kryenin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, të ndaluarit rrahën përpara njëri-tjetrit, dhe kur një i ndalur kërkoi të pinte ujë e detyruan të pinte hollues boje” – deklaroi prokurori Pace.
Prokuroria ka përshkruar se shumë prej të ndaluarve në qendra të ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e forma të tjera.
“Të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike…. Në Llapushnik, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me dare” – citoi Pace.
14:15 – Prokuroria: Mbi 400 të ndaluar dhe të paktën 102 të vrarë
“Me këta persona kolaboracionistët që ishin të shumtë, nuk janë ndëshkuar shumë për atë që ishin në të vërtetë” – kështu filloi prokurori deklaratën e tij.
Sipas prokurorit ky ishte një fragment i dhënë nga Jakup Krasniqi në vitin 2005.
Prokuroria tha se do të dëshmohet e kundërta e këtij deklarimi të Krasniqit.
“Provat që do të dëgjoni janë në kundërshtim të thellë me këtë pretendim të zotit Krasniqi. Provat do të tregojnë se mes prillit ’98 dhe gushtit’99 anëtarë të uçk-së nën komandën dhe kontroll të të akuzuarit u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor. Ka më së paku 440 incidente gjatë kohës së ndalimit për të cilat ngrihen në aktakuzë ku përfshihen persona që janë mbajt të ndaluar në vende të ndryshme” – tha prokurori.
Sipas Prokurorit, këta viktima përfshinin persona që punonin në pylltari, bujqësi, gazetarë e persona që punonin në ndërmarrje shtetërore si mësues dhe të tjerë.
Sipas Prokurorisë shumë prej tyre ishin mbështetës të LDK-së
“Shumë ishin mbështetës të LDK-së ose ata që nuk përkrahnin UÇK -në. Para se t’i ndalonin disa prej viktimave, ishin ushtarë të UÇK -së ndërsa të tjerët ishin anëtarë të forcave serbe. Krahas shqiptarëve dhe serbëve tek viktimat ishin romët, malazezët dhe boshnjakët”
“Provat do të na tregojnë se këta persona që ata që u mbajtën të ndaluar u akuzuan si ndër të tjera si koloboracionistë. Kjo akuzë ishte shumë e rëndë madje vdekjeprurëse” – u shpreh ai.
Prokuroria ka thënë se pati shumë keqtrajtime të të ndaluarve si dhe në rastet më të rënda, vrasje.
“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë” –citoi prokurori.
Sips Prokurorisë provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës.
“Provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime”- tha ai.
13:30 – Prokuroria: Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin
Prokuroria po pretendon se qëllimi i të akuzuarve ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë dhe kolaboracionistë”.
Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, ka deklaruar se qëllimi i të akuzuarve ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë dhe kolaboracionistë”.
“Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin. Personat e etiketuar ndaloheshin në mënyrë arbirtrare dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme. Katër të akuzuarit keqpërdoruan postin e shtabit të përgjithshëm” – tha Ferdinandusse.
Në vijim Prokuroria paraqiti disa komunikata sipas të cilit këto vërtetojnë se shtabi i përgjithshëm ndoqi një politikë të shënjestrimit të kundërshtarëve.
Prokuroria theksoi se një komunikatë përmbante shkrimin si: “ditë më parë nga një njësit i yni u ekzekutuan edhe dy kolaboracionistë….”
Sipas tij, kjo politikë është përsëritur vazhdimisht në komunikatat e viteve ‘96, ‘97 dhe ‘98.
11:58 – Shkon në pauzë seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Pas dy orësh, seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është në pauzë. Seanca do të vazhdojë rreth orës 12:30.
11:45 – Prokuroria: Ushtria Çlirimtare Kosovës kishte hierarki dhe shtab
Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur sot gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Prokurori i çështjes Matt Hawling ka folur për organizimin dhe strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke komentuar mënyrën e organizimit të UÇK-së, prokurori sqaroi se Shtabi i Përgjithshëm ishte krijuar qysh në vitet e 90-ta.
Më tej, në seancë janë shfaqur deklarata e Thaçit, Selimit dhe të Fatmir Limajt, ku flitet për strukturën e UÇK-së.
“Udhëheqësia e UÇK-së buroi nga LPK-ja. Përmes Adem Jasharit dhe të tjerëve UÇK-ja filloi të sulmojë ushtrinë serbe dhe bashkëpunëtorët serbë. UÇK-ja e ka zanafillën në vitet 90-ta. Që prej fillimit anëtarët e shtabit të përgjithshëm ushtruan autoritet” – tha Hawling.
Sipas Prokurorisë, Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin themelues të shtabit të përgjithshëm.
“Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin themelues të shtabit të përgjithshëm. Në një intervistë të medias të Selimit në vitin 1999, Selimi e përshkruan krijimin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Në një intervistë tjetër, Selimi e përshkruan 1997-ën si një fazë të zhvillimit të strukturëve të UÇK-së. Në vitin 1997 UÇK-ja arriti në një pikë ku mund të kryente sulme të orkestruara ndaj Ushtrisë serbe në të njëjtën kohë” – citoi prokurori.
Sipas Matt Hawling, UÇK-ja sulmoi 12 stacione të policisë.
“Provat treguan se në 1997, UÇK-ja sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmua nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”-shpjegoi prokurori.
11:11 – Prokuroria: Të akuzuarit kryen krime për të fituar pushtet në luftë
Gjatë deklaratës hyrëse, Prokuroria ka thënë se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë, mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”- tha ai.
Prokurori i çështjes u shpreh se qëllimi për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte i fshehtë.
“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”- tha prokurori.
11:03 – Prokurori tregon prova për të vërtetuar zinxhirin komandues të UÇK-së
Prokuroria po përdor pamjet e deklaratave të viteve 1990, si dhe dokumentet e gjetura në shtëpitë e disa të pandehurve për të treguar ekzistencën e një zinxhiri komandues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të vërtetuar se katër të pandehurit ishin përgjegjës dhe për këtë arsye përgjegjës për krimet.
Në një nga dokumentet që thuhet se janë gjetur në shtëpinë e Rexhep Selimit, prokurori ka theksuar një fjali duke thënë se “në situatën tonë është e rëndësishme të respektohet hierarkia”.
Prokuroria tregoi gjithashtu dokumentet gjyqësore të urdhrave që supozohej se nga fundi i viteve 1990 për të mbështetur pretendimin e saj se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së emëronte dhe shkarkonte komandantët e ‘zonave operative’ të saj, dhe se këto zona kishin njësi të inteligjencës të cilat raportonin te komandantët, të cilët më pas dërguan informacionet e njësisë së inteligjencës së përgjithshme të udhëhequr nga i pandehuri Kadri Veseli.
10:57 – Këtu mund ta ndiqni gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
10:20 – Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm
Ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u deklaruan sërish të pafajshëm.
Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se është plotësisht i pafajshëm.
“E kuptoj aktakuzën jam plotësisht i pafajshëm”- deklaroi Thaçi.
Pas tij u pyet edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të cilët konfirmuan deklarimet e tyre të para.
“E kuptoj aktakuzën, shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë. Gjithsesi konfirmoj jam i pafajshëm”- tha Kadri Veseli.
Edhe Rexhep Selimi u deklarua i pafajshëm.
“E kuptoj aktakuzë, edhe një herë jam i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”-u shpreh Selimi.
Jakup Krasniqi u deklarua tërësisht i pafajshëm, duke shtuar se nuk mbanë përgjegjësi për atë që flet aktauza.
“E kam të vështirë të kuptoj akuzën dhe mënyrën si u përpiluar. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën prej pikave që i lexoj prokurorja para pak kohe. Akuzën e kuptoj por nuk pajtohem pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Tërësisht i pafajshëm”-tha Krasniqi.
10:17 – Prokuroria: Thaçi i dha deklarata të rreme SPO-së gjatë fazës së hetimit
Gjatë fjalëve hyrëse të Prokurorisë Speciale, ushtruesi i detyrës së prokurorit të specializuar Alex Whiting pretendoi se Hashim Thaçi, ka bërë disa deklarata të rreme gjatë fazës së hetimit para ngritjes së aktakuzës.
I pandehuri “Hashim Thaçi ka ardhur disa herë në fshehtësi për të dhënë intervista” në SPO”, ka thënë Whiting në gjykatë, duke shtuar se “ai (Thaçi) ka mohuar shumë për rolin e tij dhe rolin e shtabit të përgjithshëm”. Whiting pohoi se Thaçi i kishte thënë PSP-së në një nga intervistat gjatë fazës së hetimit se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk funksionoi deri në nëntor 1998 dhe madje edhe më pas “ekzistonte vetëm në letër”.
Megjithatë, sipas prokurorit Whiting, SPO-ja do të dëshmojë se deklaratat e Thaçit ishin “kundërshtuar nga deklaratat e tij dhe deklaratat e të akuzuarve”.
“Nga çfarë po ikën ai (Thaçi)”, pyeti prokurori Whiting në gjykatë në lidhje me intervistat dhe deklaratat e Thaçit.
Më herët të hënën gjykata vendosi kundër kërkesës së mbrojtjes së Thaçit që SPO të mos përdorë provat nga intervistat e Thaçit në deklaratat hyrëse.
10:12 – Prokuroria: UÇK-ja nuk po gjykohet
Prokuroria gjatë fjalës hyrëse të procesit gjyqësor theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk po gjykohet për krime lufte, por vetëm katër ish-udhëheqësit që janë akuzuar.
“Kjo nuk është prokuroria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… rasti akuzon katër burra”, tha prokurori Alex Whiting në gjykatë, duke shtuar se “shumica dërrmuese e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me krimet” me të cilat Thaçi. dhe të tjerët akuzohen.
Më shumë protestues me pankarta dhe pankarta janë mbledhur për të mbështetur të pandehurit jashtë Dhomës së Specializuar të Kosovës në Hagë. Gjyqi i liderëve guerilë të kohës së luftës është i papëlqyeshëm në mesin e shumë shqiptarëve të Kosovës, të cilët i shohin ata si luftëtarë të lirisë.
Protestues të shumtë janë mbledhur para Gjykatës së Hagës para fillimit të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit më në fund fillon sot, më 3 prill.