Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë
Gjykata Speciale jep detaje të reja lidhur me proceset ndaj ish-eprorëve të UÇK-së
Në një konferencë për media, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik e Gjykatës Speciale, diskutoi aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, duke konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.
Të enjten u bë e ditur se deklaratat hyrëse nga Prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja janë planifikuar të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave nga Prokuroria është planifikuar të fillojë më 11 prill 2023.
Për çështjen Thaçi dhe të tjerët u caktua Tijana Kostiç si mbrojtëse për shtatë individë që nuk iu pranua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor. Individët që nuk iu pranua kërkesa, kanë të drejtën të apelojnë vendimin si dhe t’u caktohet avokat.
Sipas Angela Griep, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pasi konstatoi se ekziston ende rreziku Krasniqi dhe Selimi të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, mes të cilëve dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.
Ndërsa në çështjen tjetër gjyqësore, paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kërkesën e Salih Mustafës për apelimin e vendimit të panelit mbi modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në procedurat e Apelit.
Në gjykimin e Pjetër Shalës, dëshmitari i parë do të paraqitet për të dhënë dëshmi të hënën. Seancat në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, javën e parë dhe të fundit të majit, si dhe rreth dy javë në qershor.