MAPL hedh poshtë akuzat e Listës Serbe: Nuk ka vendim për gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka quajtur të pavërteta akuzat e Listës Serbe se Qeveria e Kosovës ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës.

Sipas MAPL-së nuk ka asnjë vendim nga Qeveria e Kosovës e as nga komuna për ndonjë punim të tillë.

“Akuzat e subjektit ‘Lista Serbe’ se Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës janë krejtësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Duam të njoftojmë opinionin publik se nuk ka asnjë vendim as nga Qeveria e Republikës së Kosovës e as nga komuna për ndonjë punim të tillë”- thuhet në reagim.

Tutje thuhet se MAPL në lidhje me hapjen e rrugës dhe dëmtimin e varrezave ortodokse nuk mban asnjë përgjegjësi pasi që programi financon vetëm ndërtimin e shtëpisë dhe jo infrastrukturën rrugore.

“Në kuadër të skemës për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për komunitetet jo shumicë në Komuna, pas vlerësimit nga komisioni profesional ka përzgjedhur të financoj ndërtimin e shtëpisë për pronarin R.C. MAPL, subvencionon vetëm ndërtimin e shtëpisë në sipërfaqe prej 62m2. Përfituesi është i obliguar që të kontraktoj operatorin ekonomik për ndërtimin e shtëpisë dhe përmes subvencionit e kryen pagesën në mënyrë direkte. Në lidhje me hapjen e rrugës dhe dëmtimin e varrezave ortodokse nuk mban asnjë përgjegjësi pasi që ky program financon vetëm ndërtimin e shtëpisë dhe jo infrastrukturën rrugore”- thuhet në reagim.

Lista Serbe dje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës dhe ka kërkuar reagim nga ndërkombëtarët.

“Ne dënojmë fuqishëm gërmimin në varrezat ortodokse serbe në pjesën veriore të Mitrovicës që po bëhet nga kompanitë shqiptare me urdhër të Qeverisë së Albin Kurtit dhe kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë sa më shpejt dhe të ndalojë këtë përdhosje të varreve serbe” – thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Policia e Kosovës ka hapur rast për dëmtim të varrezave në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tregoi se në atë lokacion janë ndaluar punimet të cilat kanë qenë duke u zhvilluar. Ai tha se aty kanë qenë duke u ndërtuar shtëpi e hapur rrugë. Policia, sipas Elshanit, nuk ka qenë prezente kur është bërë dëmtimi i varrezave.