Varrezat në veri, të cilat dyshohen të jenë dëmtuar gjatë disa punimeve në rrugë. 25.10.2023

VIDEO - Pamje të punimeve afër varrezave në Mitrovicë të Veriut, Policia ka nisur hetimet

Policia e Kosovës ka hapur rast për dëmtim të varrezave në Mitrovicë të Veriut.

Lista Serbe mbrëmë ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës dhe ka kërkuar reagim nga ndërkombëtarët.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tregoi se në atë lokacion janë ndaluar punimet të cilat kanë qenë duke u zhvilluar. Ai tha se aty kanë qenë duke u ndërtuar shtëpi e hapur rrugë. Policia, sipas Elshanit nuk ka qenë prezentë kur është bërë dëmtimi i varrezave.

Për këtë rast, ai tha se është infromuar mbrëmë nga gazetarët dhe në mëngjes ka dërguar hetuesit në vendin e ngjarjes.

“Në mëngjes janë dërgu hetuesit rajonalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë thirrë prokurorin departamentin për krime të rënda në Prishtinë dhe tash është hapë rast dëmtim i varrezave” – tha Elshani.

I pyetur se a është e vërtetë që kompania që ka qenë duke kryer punimet është kompani me pronësi shqiptare, Elshani tha se të gjitha punimet në veri janë kryer nga shqiptarët.

“Në veri krejt punimet shqiptarët i kanë kry, nëse shkojmë me nacionalitet. Nuk është problem ajo për neve, për neve është problem nëse diçka bëhet në mënyrë të kundërligjshme. Tash dyshojmë që diçka e kundërligjshme është punu aty, tash mbetet pjesë e hetimeve të dihet më tutje se çka” – shtoi Veton Elshani.

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe dje ka thënë se “regjimi i Albin Kurtit ka guxuar që t’i përdhosë dhe shpërndajë eshtrat e të parëve të tyre”.