Shkolla fillore "Beqir Gashi" në fshatin Mleqan, Malishevë

Malishevë, drejtori i shkollës angazhohet edhe si mësimdhënës i historisë dhe gjeografisë

Drejtori i shkollës fillore “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan të komunës së Malishevës, Fazli Kryeziu, është duke e ushtruar edhe detyrën e mësimdhënësit të lëndës së historisë dhe gjeografisë nga muaji dhjetor i vitit 2023.

Përveç mungesës së mësimdhënësve, ai po ballafaqohet edhe me telashe rreth faqes në Facebook që mban emrin e shkollës që drejton.

KALLXO.com e ka intervistuar personin që e posedon këtë faqe, Fehmi Kryeziu.

Ky i fundit, mësimdhënës i gjuhës angleze në shkollën “Beqir Gashi”, një kohë ka qenë drejtor në këtë shkollë.

Ndërsa, nga Këshilli i Prindërve kanë thënë se nuk janë në dijeni që drejtori i shkollës është duke u angazhuar edhe si mësimdhënës për lëndët e përmendura.

Më 13.02.2024, në një faqe që mban emrin e shkollës “Beqir Gashi” në rrjetin social Facebook është publikuar një njoftim ku thuhet se janë bërë katër muaj që nxënësit nga klasa e gjashtë deri te klasa e nëntë nuk mbajnë orë të lëndëve gjeografi dhe histori.

Në një intervistë për KALLXO.com, Fazli Kryeziu ka treguar se ai ka qenë mësimdhënës i këtyre lëndëve para se të kalonte në detyrën e drejtorit të shkollës, në dhjetor të vitit 2023. 

Ani pse kishte kaluar në pozitën e drejtorit, sipas tij, ai ka vazhduar t’i mbajë orët për këto lëndë.

“Kam qenë arsimtar i historisë, gjeografisë, por do orë jam duke i mbajtur sipas udhëzimit. Më ka thanë edhe Drejtoria e Arsimit deri të gjejnë zgjidhje për histori edhe gjeografi. Jam tu i kry dy punë, po shumica jam tu i kry të drejtorllakut, po edhe mësimin jam tu e mbajt” – ka deklaruar Kryeziu.

Jahir Kryeziu, kryetar i Këshillit të Prindërve në këtë shkollë, nuk është në dijeni se Fazli Kryeziu është duke u angazhuar edhe si mësimdhënës dhe nuk mendon se ai mund të angazhohet edhe në pozitën e drejtorit.

“Jo, nuk jam në dijeni që është duke i mbajtur lëndët. Ky e ka pasë drejtimin e vet, i ka pasë m’i dhanë landët e veta, i ka pasë adekuat për lëndët e veta, nuk e ka pasë për m’u ba drejtor” – ka theksuar Kryeziu.

Në lidhje me faqen e shkollës në Facebook, Fazli Kryeziu ka thënë se atë e menaxhon ish-drejtori i shkollës.

“Facebook-u i shkollës e ka menaxhu drejtori i mëhershëm, Fehmi Kryeziu. Unë kur e kam marrë detyrën, kam kërku me ma dorëzu Facebook-un, bile as kompjuterin s’ma ka dorëzu të shkollës, (kompjuterin) personal që është i shkollës. Ai ka thanë është i jemi. Facebook-un s’ma ka dorëzu edhe e ka postu ai vetë atë” – ka shtuar ai.

Kryeziu ka thënë se ia ka kërkuar këtë faqe ish-drejtorit të shkollës Fehmi Kryeziut, mirëpo ky i fundit i kishte thënë se i ka humbur fjalëkalimi dhe si rezultat i kësaj, ai nuk mund të merret me të për këtë çështje.

Sipas Kryeziut, Drejtoria e Arsimit në Malishevë është e njoftuar për këtë çështje të faqes së shkollës.

“Po, e kam njoftu (Drejtorinë e Arsimit)… Ata kanë thanë: merremi na me të, ti mos u merr” – ka njoftuar Kryeziu.

Izet Shala, zëdhënës në Komunën e Malishevës, në një përgjigje për KALLXO.com, e ka konfirmuar se janë në dijeni për telashet me faqen e shkollës.

“Po, kemi kërkuar që kjo faqe t’i kthehet shkollës” – është përgjigjur Shala.

Në anën tjetër, Fehmi Kryeziu e ka pranuar për KALLXO.com se ai është administrues i faqes së shkollës “Beqir Gashi”, të cilën deklaroi se e ka hapur kur ka filluar punën si drejtor i kësaj shkolle në vitin 2014.

Mirëpo, ai tha se Fazli Kryeziu nuk i kishte kërkuar që t’ia dorëzojë faqen e shkollës.

“Në fakt nuk është e vërtetë, ai (Fazli Kryeziu) e ka kërkuar email-in e shkollës, ndërsa faqen e shkollës nuk e ka kërkuar. Nuk kam besuar që mund ta menaxhojë si duhet atë faqe të shkollës” – është shprehur ai.

Sa i përket mbajtjes së orëve të mësimit, Fazli Kryeziu e ka pranuar se ka pasur orë të humbura gjatë kësaj periudhe.

“Po, ka pasë (orë) të humbura, ka pasë veç jo, jo, nuk janë të përfillshme, janë pak, nuk janë shumë se s’i kam mbajtur krejt, unë nuk mundem me thanë që i kam mbajtur krejt” – ka treguar ai.

Kurse, sipas Fehmi Kryeziut ai kishte dërguar disa raporte të shkruara në DKA Malishevë për drejtorin e tanishëm, pasi ky i fundit nga një periudhë nuk kishte mbajtur asnjë orë mësimi.

“Mund të them nga data 07.09.2023, ai nuk ka mbajtur asnjë orë mësimi, për këtë është e njoftuar Drejtoria e Arsimit në Malishevë përmes tri raporteve të cilat janë të nënshkruara, të vulosura dhe të protokoluara nga unë, mirëpo nuk ka pasur asnjë reagim të vetëm nga ata” – ka deklaruar Kryeziu.

Drejtoria e Arsimit në Malishevë në një përgjigje për KALLXO.com, duke mos ndarë më shumë informata, ka thënë se i kanë pranuar raportet ndaj Fazli Kryeziut dhe se e kanë vizituar shkollën për këtë çështje.

Ata kanë njoftuar se së shpejti do të hapin konkurs për pozitën e drejtorit të shkollës “Beqir Gashi”.

Po ashtu ata kanë bërë të ditur se kanë hapur konkurs më 28.12.2023 për mësimdhënës të historisë dhe gjeografisë për shkollën “Beqir Gashi” dhe së shpejti do të publikohen emrat e kandidatëve fitues për këto dy pozita.

“Drejtori i shkollës është ushtrues detyre në atë shkollë edhe vjen prej asaj përgatitje, d.m.th. histori, edukatë qytetare, deri në zëvendësimin e radhës, drejtori i shkollës si ushtrues detyre është i obliguar që ta mbajë mësimin” – ka thënë Arbëreshë Krasniqi, drejtoreshë e Arsimit në Malishevë.

Në faqen e Komunës së Malishevës më 23.02.2024 është publikuar një listë me rezultate të kandidatëve në testin me shkrim, në të cilën janë të listuar tre kandidatë për shkollën “Beqir Gashi” vetëm për lëndën e gjeografisë.