'Ma keni marrë djalin prej gjini' - Çka ndodhi në seancën për vrasjen e babait dhe të birit në Gradicë?

Rasti i vrasjes së dyfishtë të babait dhe birit të tij 15-vjeçar në Gradicë të Drenasit më 2021, ka arritur në Gjykatën e Apelit.

Për këtë vrasje, Xhafer Bardhi ishte dënuar me burgim të përjetshëm në shkallë të parë, kurse djali i tij, Amir Bardhi ishte liruar nga akuzat në mungesë të provave.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur me datë 09.10.2023 nga Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, Agim Kuqi.

Seanca e së premtes (01.03.2024) u përcoll me lot dhe reagime nga familjarët e viktimave.

“Ma keni marrë djalin prej gjini, prej gjini ma keni hjek djalin, fëmijë 14 vjet. … n’shkollë ti sot hala e ki bankën e djalit me lula. Thatë më ka mbet banka e djalit… veç n’deksha ja une ja k’ta, veç n’deksha, t’jau kam ba ma zi se që ma kanë ba” – ishin fjalët e bashkëshortes dhe nënës së viktimave.

Në sallë përveç një numri të madh të familjarëve, prezent ishte edhe i akuzuari Xhafer Bardhi. Ndërkaq, prezent nuk ishte i akuzuari Amir Bardhi, i cili në momentin kur ishte liruar nga akuzat iu ishte ndërprerë edhe masa e paraburgimit.

Kolegji i Apelit i cili po e trajton rastin në shkallë të dytë përbëhet nga kryesuesi Hashim Çollaku, gjyqtari referues Xhevdet Abazi dhe anëtari Zyhdi Haziri.

Me vendimin e shkallës së parë nuk ishin ndarë të kënaqur mbrojtja e të akuzuarit Xhafer Bardhi e as familjarët e viktimave.

Përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, avokati Ndrec Dodaj, kërkoi nga gjykata që çështja të kthehet në rigjykim.

“Vendimi i pjesës liruese është një vendim i padrejtë se ka pasë mundësi gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues me e ndryshu cilësimin. Kërkoj që i njëjti vendim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim”- tha avokati Dodaj.

Të njëjtën kërkesë e kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku.

“Xhafer Bardhi e thotë edhe në shkallën e parë “më parë do të dëshiroja vdekjen e fëmiut tim sesa fëmiu i ndjerë që ka humb jetën.” Kërkojmë që kjo çështje të kthehet në rigjykim, të rishqyrtohet në mënyrë detale” – u shpreh avokati Millaku.

Ndërkaq, në seancë prezent ishte edhe mbrojtësi i Amir Bardhit, avokati Agron Hoti, i cili para kolegjit të Apelit kërkoi që aktgjykimi të vërtetohet.

Kujtojmë se edhe seanca e shpalljes së aktgjykimit në shkallë të parë ishte përcjellë me reagime të ashpra nga familjarët e viktimave.

Ndërkaq edhe me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare, njëri prej familjarëve të viktimave ishte urdhëruar të largohej nga salla e gjykimit për shkak të prishjes së rendit.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 05.04.2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V. M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B. M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.